Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro thekson se festivali fantastik, UNUM Festival, rikthehet edhe këtë vit në Shëngjin të Lezhës nga data 1 deri në 6️ qershor 2022.

UNUM Festival ishte i pari event europian që u mbajt vitin e shkuar në periudhën pas pandemisë në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin.

75 artistë ndërkombëtarë dhe mbi 10 mijë të rinj nga e gjithë Europa, por edhe nga vende të ndryshme të botës, u bënë pjesë e këtij festivali duke respektuar masat antikovid.

Prestigjiozja “The Guardian” e ka përzgjedhur festivalin UNUM që zhvillohet në Shqipëri mes 20 festivaleve të muzikës më të mira në Evropë, që ndjek gjurmët e Kala Festival.

“Kombinimi i bregdetit të pacenuar, qyteteve historike dhe kulturës së pasur me muzikën e jashtëzakonshme të të gjitha zhanreve, Shqipëria nuk është gjë tjetër veçse një pjesë parajse e gatshme për t’u eksploruar”, shkruante revista “Festicket Magazine lidhur me mbajtjen e këtij eventi ndërkombëtar në vendin tonë.

UNUM  është një festival, i cili mishëron idenë e unitetit dhe pozitivitetit, dy aspekte kryesore që janë përfshirë brenda muzikës ‘house’ dhe tekno që shërben si politika kryesore muzikore e festivalit.

Për organizatorët e këtij festivali, Rana e Hedhun është vendi ku emri i festivalit ka kuptim, me muzikën dhe peizazhin që vijnë së bashku për të formuar një ëndërr të lumtur; të erës që fluturon butësisht nëpër pemë pishe. Të gjitha të vendosura në një sfond malor, hapësirë ideale për të dëgjuar shumë artistë të respektuar nga e gjithë bota.

Me një pamje të rrallë mesdhetare, “Rana e Hedhun” 3-4 kilometra larg Shëngjinit është kthyer në një prej destinacioneve turistë të shumtë, vendas e të huaj.