Janë luajtur ditën e djeshme ndeshjet e para të çerekfinaleve të kupës së Shqipërisë, ku u prodhuan rezultate interesante. Kryesuesit e kampionatit, Tirana, nuk njeh mëshirë as në kupë, duke mundur thellësisht 5 me 1 ekipin e Besëlidhjes dhe hipotekuar kalimin në fazën gjysmëfinale. Lezhjanët vinin në këtë përballje me petkun e skuadrës që kishin eleminuar Partizanin në turin e kaluar, por mesa duket ëndrra e tyre do të mbyllet në çerekfinale. Ka bërë detyrën edhe skuadra e Kukësit, duke fituar në frymën e fundit në transfertën me Apoloninë, me një fitore minimale 2 me 1, por që i jep një avantazh për kalimin në fazën tjetër të kompeticionit.

Ka fituar edhe Bylisi në përballjen ndaj Skënderbeut, ku i mjaftoi një gol për t’i dhënë fitoren dhe mbajtur gjallë shpresat për të avancuar më tej në kupën e Shqipërisë. Një barazim spektakolar ka qenë ai midis Vllaznisë dhe Teutës në “Loro Boriçi”, me skuadrat që u ndalën në shifrat 2 me 2 dhe e lënë gjithçka pezull për në ndeshjen e kthimit në Durrës.