ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot nga Kukësi, në aktivitetin “Deputeti që duam” se “nuk e di çfarë kërkon Ilir Meta akoma nga Shqipëria dhe shqiptarët që nuk rri dot një ditë rehat dhe pa nxitur sherr”.
“Kur zihen dy vetë fiton një i tretë thotë populli dhe kjo është diviza e Ilir Metës, fut në sherr dy që ti të dalësh i treti që bën paqe. E bën shqiptarët kryeministër, 30 vjeç, e bën kryeparlamentar 40 vjeç, e bënë President 50 vjeç. Kujt më thotë, ‘jo se bëmë ne, e bëre ti’ i them jo, natyrisht edhe unë, edhe ne kemi dhënë votën, por ishte me votat e tij atje në parlament Ilir Meta dhe pa votat e tij nuk bëhej President. Ne nuk mund ta linim vendin pa President ashtu sikundër nuk mund të gjenim dikë tjetër, ashtu sikundër në atë moment donim t’ia jepnim Presidentin opozitës”.
“Unë isha shumë i qartë se kush ishte roli i Ilir Metës edhe tek çadra, hidh gurin e fshih dorën. Isha shumë i qartë që Meta e kishte vendosur që të hidhej prapë në anën tjetër dhe ne i dhamë president opozitës. Por President, jo lolo. Fakti që Ilir Meta është kthyer në lolo, nuk do të thotë që ka qenë lolo në të shkuarën”, – nënvizoi Rama.
Po, vijoi Rama, çfarë do Ilir Meta dhe çfarë borxhi i kanë shqiptarët partisë së tij dhe për cilën arsye duhet votuar më për partinë e Ilir Metës.
“Ta parafytyrojnë demokratët e Kukësit, se Kukësi ka demokratë të flaktë, me PD-në nuk i ndan dot as vdekja dhe ta keni PD-në me shëndet dhe me jetë, por mos harroni se këtë herë voton Lulin, por nuk merr Lulin, merr Monikën bashkë me Ilirin”, – tha Rama.
Kryeministri tha se nëse “PS do ta ndërpresë gjithë këtë punë të filluar, imagjinoni se çfarë ndodh me ata që duan të kthehen në pushtet dhe për fat të mirë i njohim”.
“I kemi parë në punët që kanë pasur mundësinë t’i bëjnë, i kanë premtuar dhe për fat të keq janë të pakualifikueshëm për një vend pune. Edhe një vend pune që kishin, t’i shërbenin shqiptarëve në parlament duke bërë opozitën edhe atë vend pune e braktisën sepse nuk rrinë dot me dinjitet e aftësi në një vend pune. Prandaj janë rrugëve, shfaqen në ekrane si të dehur që kanë dalë te dera e klubit dhe nxjerrin gjithçka pa mundur më të kontrollojnë zorrët e barkut”, tha Rama.
Kjo është fatkeqësi, tha ai, ndërsa theksoi se “parafytyroni se çfarë ndodh nëse u mbetet atyre në dorë puna për rindërtimin”.
“Një grup jo i vogël, por jo i madh familjesh u përmbyt në Shkodër dhe u desh të vinim ne në qeveri për t’ju dhënë dëmshpërblimet për përmbytjet që kishin ndodhur disa vite më parë. Parafytyroni se çfarë bëjnë këta nëse marrin përsipër të ndërtojnë shtëpitë, pallatet dhe të përfundojnë shkollat e mijëra shtëpi banimi”, tha Rama.
Ai theksoi se “ata janë lojtarë që e kanë pasur mundësinë të luajnë në shtëpi dhe faktikisht kanë dalë të humbur përballë të gjitha sfidave”.
“Më thoni një sfidë që ata e fituan kur ishin në fushë. Ata që sot duan të kthehen e kanë pasur dy herë mundësinë, jo një herë. E kanë pasur herën e parë kur Shqipëria përfundoi në humnerë dhe shqiptarët mbetën në mëshirën e fatit. E kanë pasur edhe herën e dytë kur Shqipërinë e çuan në buzë të humnerës dhe kur erdhëm ne në shtator 2013, sfida e parë ishte të mos ulnim rrogat dhe pensionet se nuk kishte lekë buxheti i shtetit dhe Shqipëria ishte zhytur në borxhe. 40 milionë euro i kishin borxh këta që flasin për të varfërit, njerëzve me aftësi të kufizuar. Thjesht nuk ua kishin dhënë. Për të mos folur për borxhet e kompanive ndaj atyre që kishin furnizuar spitalet me ilaçe, mbi 20 milionë euro borxhe. I kishin katandisur spitalet pa aspirinë dhe ishin ndaluar furnizimet e spitaleve se kompanitë kërkonin borxhet. Kjo ishte Shqipëria e 7 viteve më parë”, tha Rama.
Për të mos folur, vijoi ai, për njerëzit në fshat, ujin e pijshëm. “Jo vetëm rruga u la rrugëve, por u bë inaugurimi në Kukës për ujësjellësin me miliona euro me Saliun dhe paratë u zhdukën ndërsa ujësjellësi nuk u ndërtua kurrë, përfundoi në prokurori e labirinte. Sot janë në punë 55 kantiere nga veriu në jug për të çuar ujin 24 orë në çdo zonë urbane”, tha Rama./m.m/k.s/j.p//