/ATSH/ Kuvendi miratoi sot në seancë plenare një sërë aktesh normative përmes së cilave po mbështeten mbi 236 442 qytetarë me pagesë direkte dhe një numër i madh biznesesh.

Përmes dy paketave financiare mbështetja prej 13.5 miliardë lekësh i jepet qytetarëve që kanë nevojë të adresojë nevojat për konsum mujor, pasi aktiviteti i tyre është mbyllur me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, ose që kanë qenë hapur por nuk kanë pasur xhiro si më parë.

Në politikat mbështetëse të qeverisë u përfshinë edhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe ata me pagesë papunësie.

Për këto dy kategori pagesa mujore u dyfishua për një periudhë 3 mujore.

Po ashtu, Aktet Normative parashikojnë edhe ndryshime në dy ligje fiskale, atë “Për tatimin mbi të ardhurat” si dhe “Për sistemin e taksave vendore”.

Në bazë të ndryshimeve në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, miratuar në Kuvend, për të gjitha bizneset, përveç bankave, kompanive celulare e kompanive publike, shtyhet pagesa e tatimfitimit deri në fund të vitit.

“Bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë nuk do të paguajnë asnjë këst tatimfitimi, dhe do t’i riskedulohet në vitin 2021”, tha ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Një tjetër instrument i vënë në dispozicion nga qeveria për të mbështetur sipërmarrjen ishte edhe një garanci sovrane në banka, prej 100 milionë dollarësh për bizneset e mëdha për të paguar punonjësit. Interesat u morën përsipër të paguhen nga busheti i shtetit.

Po kështu për të mbështetur biznesin e industrive të turizmit, fasonit dhe atë prodhues do të vihet në dispozicion një instrument i ri financiar prej 150 milionë dollarësh.

Instrumenti i ri financiar për turizmin, industrinë fason dhe bizneset prodhuese, bazohet në një garanci sovrane prej 150 milionë dollarësh, i cili do të vihet në dispozicion me ndarje risku mes qeverisë dhe bankave.

Krahas këtyre qeveria vendosi edhe pezullimin e pagimit të qirave për një afat dy mujor dhe riskedulimin e tyre në periudhën në vazhdim.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, 47 mijë biznese të vogla rezultojnë të jenë me qira dhe do të përfitojnë nga shtyrja për muajt që janë të mbyllur nga kjo pagesë.