10 shtëpi banimi në zonat rurale të bashkisë së Pukës tashmë janë gati për të shërbyer si bujtina.

“Kuzhina tradicionale e paraqitur si ofertë turistike” është një projekt i financuar nga Bashkimi Europian në kuadër të Fondeve IPA Cross-Border Montenegro – Albania 2014-2020.

Përmes këtij projekti bashkia e Pukës përmes investimeve modeste sipas kërkesave të përfituesve ka ndërhyrë në 10 shtëpi banimi në zonat rurale të cilat tashmë janë gati për të shërbyer si bujtina.

Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është rritja e konkurrencës së sektorit të turizmit nga rritja e vlerës ekonomike e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, ndërsa objektivi specifik është përfshirja e gastronomisë lokale e zonës ndërkufitare në ofertën e përgjithshme turistike.

Bashkia e Pukës bën të ditur se, qëllimi është për të përfshirë trashëgiminë kulturore lokale në ofertën e përgjithshme të turizmit, dhe t’u ofrojë vizitorëve një pasqyrim të traditës lokale përmes gastronomisë lokale.

“Ne shpresojmë se i kemi nxitur këto familje që të rriten në agrobiznes dhe krijimin e kapaciteteve për bujtina, duke besuar fort tek nisma dhe interesi i shprehur prej tyre për të vepruar në fushën e turizmit”, thuhet në njoftimin e bashkisë.

Projekti zbatohet nga Agjencia e Zhvillimit Rajonal për Bjelasica, Komovi dhe Prokletije, Organizata Kombëtare e Turizmit për Malin e Zi, Eco-Partner për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe bashkia Pukë.

Atsh