ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në kantierin e rindërtimit në Laç, ku ndoqi nga afër punën e madhe që po shkon drejt fundit, për lagjen e re qendrore të qytetit, me 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë me standarde urbane të cilësisë së parë.

Rama vlerësoi ecurinë e punimeve në këtë kantier, ndërsa pa konkretisht edhe modelin e përfunduar të disa apartamenteve.

Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara informoi se apartamentet do të jenë të përfunduara në fund të gushtit.

“Kompania turke ka filluar punimet edhe me lotin e dytë paralelisht. Kanë filluar punimet edhe të shkollës në këtë zonë. Ndërkohë po mbyllin apartamentet për këto dy blloqe, ndërsa komplet zona dorëzohet për banorët në muajin gusht, bashkë me infrastrukturën që rrethon zonën”, tha Cara.

Po ashtu, ajo informoi se në Kurbin është avancuar edhe me shtëpitë private.

“Kemi avancuar edhe me shtëpitë private, ku nga 200 familje që kanë preferuar të tërheqin grantin dhe të ndërtojnë banesat e tyre tashmë po aplikojnë për lejet e ndërtimit dhe 40 prej tyre kanë filluar ndërtimin e shtëpive”, tha Cara.

Ndërkohë, ajo informoi se jemi në procedurën e prokurimit për 200 shtëpitë e tjera private që do të ndërtohen me mbështetjen e qeverisë shqiptare./m.m/j.p/