/ATSH/ Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave zhvilloi sot një seancë dëgjimore me grupet e interesi lidhur me projektligjin “Për sipërmarrjen e investimeve kolektive”.
Projektligji i sipërmarrjes së investimeve kolektive propozohet me qëllim përmirësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe rregullator për sektorin e fondeve të investimeve dhe të letrave me vlerë dhe obligacioneve.
Ky ndryshim ligjor ndërmerret në një kohë ku dinamika e tregut të fondeve të investimeve ka pësuar zhvillime të mëdha.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të kërkojë një kuadër ligjor të ri e në përputhje me direktivat e BE-së.
Kryetarja e Ekonomisë dhe Financave, Milva Ekonomi tha se ndryshimet në ligj e bëjnë këtë sektor më tërheqës për investitorët dhe pjesëmarrësit, krijon një gamë më të gjerë të fondeve të përshtatshme me tregjet shqiptare dhe europiane, pra e bën vendin tonë të krahasueshëm me tregun europian, si dhe mobilizon më shumë kursime në tregjet e kapitalit dhe ekonomi dhe i ofronte më shumë zgjedhje./a.gjonaj/ /a.g/