Bashkia e Librazhdit nis fazën e dytë të shpërndarjes së ndihmave ushqimore për ato familje që kanë nevojë në këtë kohë pandemie. Me fondin e Emergjencave Civile, Bashkia e Librazhdit ka bërë blerjet e pakove ushqimore të cilat janë llogaritur të plotësojnë nevojat e një familje për një periudhë një mujore. Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra asistuan në punën që po bëjnë grupet e vullnetarëve dhe punonjësve të bashkisë për t’i ardhur në ndihmë çdo familje. Balla përfitoi nga rasti për të uruar besimtarët për Muajin e Ramazanit ndërsa shtoi se mbështetja do të vazhdojë dhe askush s’do të jetë vetëm në këtë luftë:

Taulant Balla  : “Sot në ditën e parë të Muajit të Bekuar të Ramazanit do të doja t’i uroja besimtarëve “Agjërim të Lehtë dhe të pranuar”. Jemi në Librazhd së bashku me grupin e punës që gjatë këtyre 6 javëve kanë bërë një punë të shkëlqyer për t’u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve në nevojë, por edhe të moshuarve të cilët e kanë pasur detyrim të mos dalin nga shtëpia. Sot nisim fazën e dytë, ku bashkia Librazhd i ka blerë ndihmat ushqimore me fondet e saj, ndërsa deri tani mbështetja e donatorëve ishte një ndihmesë shumë e madhe. Një pako e plotë ushqimore shkon në 50 kg duke llogaritur edhe thesin e miellit 25 kg. dhe të gjitha bazën tjetër ushqimore si patate, fasule, oriz, makarona, vaj, detergjente etj. Jemi në Muajin e Ramazanit dhe Librazhdi ka një numër të madh besimtarësh që agjërojnë dhe ne do të kujdesemi që për këdo që ka realisht nevojë të mos i mungojnë pakot ushqimore.”

Kryetari i Bashkisë vuri në dukje kriteret e përcaktuara për ato familje që përfitojnë pakon ushqimore ndërsa garantoi se bashkia do të jetë pranë cilitdo që ka nevojë:

Kastriot Gurra  :“Nisim sot një fazë të dytë shpërndarje për të gjitha kategoritë që janë përcaktuar me VKM dhe që përfitojnë pako ushqimore në këtë periudhë pandemie. I shprehim mirënjohjen të gjithë kontributorëve që na ndihmuan në fazën e parë. Tashmë në fazën e dytë, ne kemi bërë blerjet me fondet e bashkisë. Pakot ushqimore do të shkojnë për ato familje që vërtet kanë nevojë. Pakot ushqimore që ne kemi përgatitur janë të mjaftueshme për një periudhë një mujore. I bëj thirrje çdo banori të Bashkisë Librazhd që nuk ka vend për panik, ne do të jemi në çdo shtëpi për çdo nevojë që kanë.”

Elbasaninews.tv