Pak ditë më parë Ministria e Arsimit sqaroi riorganizimin e maturantëve në rikthimin e bangave të shkollës, e cila nuk do të jetë më si para pandemisë. TV Skampa intervistoi maturantin Klijti Vrapi nga gjimnazi “Ahmet Dakli”, për të mësuar sesi i kanë pritur rregullat e reja. Sipas tij, pavarësisht se mësimi online i ka dhënë disi rezultatet e veta, ata sërisht janë të friksuar dhe stresuar njëkohësisht, edhe nga ndjesia e të bërit provim mature dhe nga pandemia e Covid-19.

Me datë 18 maj, maturantët do të kthehen në shkollë për të bërë konsultimet për provimet e maturës. Por nuk do të lejohen më shumë se 10-12 nxënës nëpër klasa. Nxënësit do t’i kenë emrat në klasa dhe do hyjnë e do dalin sipas protokolleve për të ruajtur distancën dhe të mos rrezikojnë njëri-tjetrin nga koronavirusi. Klijti është mosbesues që këto rregulla do të zbatohen.

” Provimet e maturës nuk do të përfshijnë temat e zhvilluara në kushte shtëpie. Pra, janë të ndërtuara mbi bazën koncepteve të zhvilluara në klasën 10, 11, si dhe klasën e 12-të gjatë kohës që është bërë mësim në shkollë. Provimet do të realizohen mes datave 8 dhe 18 qershor, duke zbatuar rregulla strikte, jo vetëm për të ruajtur shëndetin e nxënësve, por edhe integritetin e provimit.

Elbasaninews.tv