Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi në Këshillin Kombëtar të Punës, të mbajtur virtualisht, se mbi 230 mijë qytetarë kanë marrë pagesat nga dy paketat financiare të qeverisë deri në datë 11 qershor.
“Në Këshillin Kombëtar të Punës për një komunikim të vazhduar të qeverisë me shoqatat dhe përfaqësues të punëdhënësve dhe punëmarrësve. Së bashku me Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit dhe zv/ministrat e Shëndetësisë, Infrastrukturës, Arsimit dhe Drejtësisë diskutuam mbi paketat mbështetëse të qeverisë, nevojat e punëmarrësve dhe punëdhënësve në periudhën e pandemisë, masat e marra për naftëtarët, masat për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, masat për të siguruar distancimin fizik mes nxënësve për vitin e ri shkollor, masat për mbështetjen e sektorit të turizmit. Mbi 230 mijë qytetarë kanë marrë pagesat nga dy Paketat Financiare të Qeverisë deri në datë 11 qershor”, informoi Denaj.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë tha se “kreditimi për pagat e punonjësve përmes Garancisë Sovrane 1, vijon të jetë i mundur me interes 100% të subvencionuar nga shteti shqiptar. Këshilli Kombëtar i Punës ka ndjekur në vazhdimësi çështjet e ngritura nga Partnerët Socialë dhe do të vijojë të jetë në funksion të nevojave të punëmarrësve dhe punëdhënësve”. /ata/