ATSH/ Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës për mbështetjen e përpjekjeve të Republikës së Shqipërisë për zbutjen e pandemisë COVID-19”.

E pranishme në punimet e këtij komisioni, Eugena Tomini zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, shpjegoi se mbështetja e sektorit shëndetësor për të reaguar ndaj COVID-19 menjëherë dhe në një periudhë afatmesme konsiston në: fuqizimin e sistemit shëndetësor për rritjen e kapaciteteve për trajtimin e rasteve të COVID-19 dhe sëmundjeve që lidhen me të, sigurimin e vaksinës së COVID-19 për mbrojtjen e popullatës nga rreziqet e COVID- 19.

“Përmes këtij projekti synohet të garantohet ofrimi i shërbimeve mjekësore, si dhe sigurimi i materialeve e pajisjeve mjekësore të rëndësishme për të prekurit nga COVID-19” theksoi  Tomini.

Nëpërmjet këtij projektligji synohet ratifikimi i marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për mbështetjen e përpjekjeve të Republikës së Shqipërisë për zbutjen e pandemisë COVID-19, në shumën prej 60 milionë eurosh për të financuar shpenzimet buxhetore për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19.

Kjo mbështetje do të shërbejë për mbrojtjen e shëndetit publik, parandalimin dhe reagimin ndaj rrezikut që paraqet COVID-19, si dhe fuqizimin e sistemeve kombëtare të gatishmërisë së shëndetit publik. /a.a/