ATSH/-  Investimet në 14 projekte të infrastrukturës publike, në bashkinë Memaliaj, kanë impakt në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve  ndaj qytetarit.
Bashkia Memaliaj bën të ditur se, gjatë një viti ka punuar fortë, duke përmirësuar shërbimet ndaj komunitetit në qytet dhe në 5 njësitë administrative të saj, Luftinjë, Buz, Memaliaj Fshat, Krahës, Qesarat.
Ndër projektet e realizuara janë: Rikonstruksioni i trotuareve në disa rrugë të qytetit, duke mundësuar lëvizjen e sigurt të kalimtarëve; Fal nismës së bashkisë për shtimin e gjelbërimit, janë mbjellë 550 pemë në qytet si dhe në njësitë administrative; Janë liruar hapësirat publike të zaptuara prej 30 vitesh prej gardheve dhe ndërtesave paleje; ndërsa vëmendje të veçantë bashkia i ka  kushtuar varrezave publike, duke i pastruar sistematikisht dhe rregulluar portat hyrëse.
Gjithashtu njofton bashkia Memaliaj, përmes projekteve në infrastrukturë, kemi ndërhyrë për rehabilitimin e rrugëve rurale në fshatrat Anëvjosë, Koshtan, Kallëmb, Muçodemaj, Toç.
Sinjalistika rrugore është një tjetër punë e suksesshme, e kësaj bashkie, ku vendosja e tabelave në të gjitha njësitë administrative do ta bëjë më të lehtë orientimin e udhëtarëve dhe turistëve .
“Të lëna pas dore prej shumë kohësh, fal ndërhyrjes tonë kanalet e ujërave të larta tashmë janë një problem i zgjidhur. Brenda një kohe të shkurtër mundësuam rehabilitimin e rrugës Agjensia e Luftinjës-Izvor. Një investim strategjik që lehtësoi jetesën e banorëve të zonës.
Vëmendja ka qenë maksimale dhe në pastrimin e shtëpive të braktisura, që ishin kthyer në rrezik për qytetarët”- thuhet në njoftimin e bashkisë Memaliaj, ku bëhet e ditur se, është përmbyllur projekti për lirimin e hapësirave publike përgjatë lumit Vjosë, me synim krijimin e një shëtitoreje.
Bashkia Memaliaj thekson se, “periudha e pandemisë ishte një sprovë përgjatë punës sonë. Ne ia dolëm të mbështesim familjet në nevojë, duke shpërndarë 1800 pako ushqimore”.
“Shumë shpejt nisim punën për sistemimin e ndriçimit publik. Fal vizionit dhe punës së vazhdueshme, Memaliaj po transformohet çdo ditë në një qytet social. Projekte të rëndësishme na presin në vijim”, thuhet në njoftimin e bashkisë Memaliaj.