ATSH/ Presidenti Ilir Meta i dërgoi sot një mesazh urimi Mbretit Philippe me rastin e Ditës Kombëtare të Belgjikës ku u shpreh mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në strukturat euroatlantike.
“Kam kënaqësinë të shpreh vlerësimin tim për marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë midis Shqipërisë dhe Belgjikës. Kjo më bën optimist për një të ardhme të shkëlqyer të bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Një urë lidhëse e qëndrueshme në këto marrëdhënie është edhe komuniteti shqiptar në Belgjikë”, – shprehet Meta.
Përfitoj nga rasti, vijon Presidenti, të shpreh mirënjohjen edhe për mbështetjen dhe mundësitë që Belgjika i ka krijuar këtij komuniteti për të ruajtur identitetin kombëtar, si dhe për t’u integruar dhe dhënë kontributin e tij në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve miqësore, kulturore e ekonomike midis dy vendeve.
“Shfrytëzoj këtë rast për të shprehur mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në strukturat euroatlantike. Mbështetja në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian, është e një rëndësie shumë të veçantë për vendin tim”, – nënvizoi Meta.
Presidenti Meta shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për të plotësuar të gjitha kriteret që do të na mundësojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit në një kohë sa më të afërt./k.s/ /a.g/