Paketa e Zgjeruar, në Elbasan përfituan 2,664 subjekte për 7,274 punonjës

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në turin e komunikimeve të drejtpërdrejta, u ndal sot edhe në Elbasan. E shoqëruar nga kryebashkiaku Gledian Llatja, ministrja pa nga afër kompaninë Delmon Group Albania, që prodhon pjesë për sektorin automotiv. Edhe punonjësit e këtij biznesi kanë përfituar nga Paketa e Zgjeruar e Qeverisë, teksa në të gjithë vendin kanë përfituar 167,450 punonjës.

 

“Në fakt ishin diku rreth 4 500 përfitues të paketës së parë dhe rreth 7200 janë përfitues të paketës së dytë në të gjithë Elbasanin. Kemi folur edhe më herët për të sjellë sa më shumë investitorë të huaj siç jeni ju dhe e gjithë pjesa e investimeve të huaja direkte të cilat në Shqipëri prej dy vitesh janë rritur, duhet të shkojë edhe të segmentohet në industri që kanë jo vetëm rendiment në të ardhurat, por mbi të gjitha në punësim. Automotivi është në fakt industria më produktive”, tha ministrja Denaj.

Nga ana e tij, drejtuesi i kompanisë “Delmon Group Albania”, Ertjan Çabiri, tha se sektori ku operojnë është relativisht i ri për Shqipërinë, teksa merren me prodhomin e gominave për kompanitë e mëdha automobilistike. Sipas tij, ndonëse kanë pasur dy muaj të vështirë për shkak të krizës globale, këtë muaj ka pasur një rritje, teksa shpresojnë që deri në fund të vitit të kthehen në nivelet e planifikuara. Kriza i detyroi të heqin nga puna 25 punonjës, por shteti i ndihmoi duke i paguar pagën e luftës.

 

Më tej, Z.Cabiri shtoi se plani afatgjatë është që deri në 2025 të pesëfishohet, teksa para krizës, plani ishte që këtë vit të kishte një dyfishim, por tani thjesht do të garantojnë një rritje, 10-20 përqind në krahasim me vitin e kaluar.