ATSH/ -Këshilli i Ministrave në mbledhjen e djeshme mori vendim për dispozitat zbatuese të ligjit “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”.
Këshilli i Ministrave vendosi procedurat për bllokimin e përkohshëm.
Ministria përgjegjëse për Punët e Jashtme, me marrjen e njoftimit për vendosjen, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese të vendosura, njofton menjëherë organet përgjegjëse.
Njoftimi i bëhet pikave të kontaktit, të caktuara nga organet përgjegjëse, nëpërmjet postës zyrtare elektronike.
Me marrjen e njoftimit, organet përgjegjëse marrin menjëherë masat për bllokimin e përkohshëm të aseteve që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, deri në miratimin e vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave.
Me marrjen e njoftimit për vendosjen, zbatimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare, organet përgjegjëse, organet publike, si dhe çdo person, fizik ose juridik, në Republikën e Shqipërisë, janë të detyruara që të zbatojnë menjëherë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa e kushtëzuar procesin me miratimin e akteve të mëtejshme nënligjore brenda vendit, bllokimin e përkohshëm të çdo veprimi, ndërmjetësimi, transaksioni, transferte, shërbimi financiar apo të tjera të lidhura, fonde dhe pasuri të tjera.
Ministri përgjegjës për punët e jashtme, brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja dijeni e vendosjes, ndryshimit apo shfuqizimit të masës shtrënguese në rastet e akteve të detyrueshme të miratuara nga organizata ndërkombëtare dhe rekomandimit të Komitetit të Masave Shtrënguese Ndërkombëtare për aktet të Bashkimit Evropian, i propozon Këshillit të Ministrave masën shtrënguese ndërkombëtare dhe subjektin ndaj të cilit vendoset kjo masë.
Komiteti i Masave Shtrënguese Ndërkombëtare, në vijim Komiteti, drejtohet nga ministri përgjegjës për punët e jashtme dhe, në mungesë të tij, nga zëvendësministri i deleguar prej tij.
Komiteti mblidhet me kërkesë të ministrisë për të shqyrtuar kërkesën e organit përgjegjës drejtuar ministrisë, për rastet kur ky i fundit do të propozojë ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare me karakter të brendshëm.
Si dhe njoftimet për masat shtrënguese të vendosura në bazë të akteve të detyrueshme, të miratuara nga organizatat ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është shtet anëtar, duke përjashtuar masat shtrënguese të vendosura nga OKB-ja; akteve të Bashkimit Europian.
Komiteti mblidhet pas marrjes së njoftimit, me shkrim, nga ministria. Njoftimi përmban rendin e ditës së mbledhjes, orën dhe datën, e cila duhet të jetë brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e njoftimit.
Përveç rasteve kur mbledhja e Komitetit nuk ka objekt dhënien e rekomandimeve, Komiteti merr vendim për të dalë me një rekomandim, i cili do të nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e tij.
Titullari i ministrisë ngarkon një nëpunës të strukturës përkatëse për organizatat ndërkombëtare si “pikë kontakti” për zbatimin e masave shtrënguese, i cili do të marrë pjesë në çdo mbledhje të Komitetit.
Me autorizim të ministrit përgjegjës për punët e jashtme, Komiteti mund të asistohet edhe nga një nëpunës i strukturës përkatëse që mbulon organizatën, e cila ka njoftuar për vendosjen ndryshimin dhe shfuqizimin e masës shtrënguese ndërkombëtare, si dhe një nëpunës nga struktura që do të përgatisë paketën ligjore për miratim në Këshillin e Ministrave të vendimit për vendosjen, ndryshimin ose shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare.
Dokumentacioni dhe materialet e përdoruara për mbledhjet e Komitetit arkivohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për arkivat.
Në ministri krijohet regjistri elektronik i bazës Të të dhënave për masat shtrënguese ndërkombëtare.
Regjistri mbahet, ruhet, administrohet dhe përditësohet në formë elektronike nëpërmjet një sistemi kompjuterik nga nëpunësi i ngarkuar me autorizim të titullarit të ministrisë.
Regjistri përmban të dhëna të mbledhura nga burime autentike të krijimit të të dhënave nga ministria, si dhe të dhënat e ofruara nga organet përgjegjëse për: subjektet të cilave u vendosen masa shtrënguese ndërkombëtare; subjektet që shkelin zbatimin e masave shtrënguese; vendimet e gjykatës, nëse ka të tilla; kuadrin e masave shtrënguese ndërkombëtare.
Regjistrohen si të dhëna parësore në këtë bazë të dhënash; Autoriteti, i cili ka vendosur masën shtrënguese ndërkombëtare; Parashtrimi i përmbledhur i rrethanave të faktit; Arsyet për shkak të të cilave është vendosur masa shtrënguese ndërkombëtare; Dispozitivi i vendimit; Data dhe vendi i marrjes së vendimit.
Regjistrohen si të dhëna dytësore të dhënat në lidhje me vendndodhjen e personit/subjektit; të dhënat/gjenealitetet e subjektit ndajt të cilit është vendosur masa shtrënguese ndërkombëtare.
Regjistri aksesohet nga: ministria, si administratore dhe përdoruese e regjistrit; organet përgjegjëse zbatuese, si lexuese të regjistrit; publiku, si lexues nëpërmjet ndërfaqes së ministrisë në internet dhe portalit qeveritar e-Albania.
Aksesi në këto të dhëna rregullohet sipas legjislacionit për të drejtën e informimit dhe legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Organet përgjegjëse, i dërgojnë ministrisë pikat e kontaktit dhe funksionet e përfaqësuesve të Komitetit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
/gj.mima/j.p/