ATSH – I. Vata/ Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar sot projektin për kryerjen e ndërhyrjeve përforcuese – restauruese në objektin “Banesa Aleksandër Moisiu – Muzeu Etnografik, në Durrës”.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019, ka hartuar një listë monumentesh me prioritet ndërhyrjeje dhe ka marrë masat për hartimin e projekteve. IKTK mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje, e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Banesa është karakteristike e shekullit të 19-të, ku janë vendosur Muzeu Etnografik dhe shtëpia muze “Aleksandër Moisiu”, në Durrës sikundër vazhdon të jetë një nga shtëpitë më tërheqëse të qytetit bregdetar.

Në katin e dytë të godinës karakteristike, që nga viti 1982 bashkëjetojnë eksponatet e Muzeut Etnografik, si dhe një dhomë e veçantë kushtuar aktorit shqiptar me famë europiane, Aleksandër Moisiu, i cili në fundin e shekullit të 19-të ka kaluar disa vite të fëmijërisë së tij në këtë shtëpi.

Ndërsa në pjesën përdhese kanë zënë vend zyrat e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve dhe arkiva e fondeve të Galerisë së Arteve.

Banesa që mbështetet në muret mesjetare të periudhës bizantine, është një nga godinat përfaqësuese të arkitekturës së viteve ‘1900. Prej kohësh ajo ka statusin shtetëror të Monumentit të Kulturës.