PRISHTINË, 19 shkurt/ATSH/- Me ngjyrën e qiellit blu dhe diellit, ngjyrat e flamurit kosovar artistja Arbnora Fejza nga komuna Skënderaj theu rekordin Guinness pasi ka krijuar mozaikun më të madh me Origami në botë.

“Me shumë emocione dhe krenari, dua t’ju njoftoj që Guinness World Records sapo ka aprovuar rekordin tonë për Mozaikun më të Madh Origami – Flamurin e Republikës së Kosovës. Këtë flamur e kemi ndërtuar me shumë punë e përkushtim për të festuar ditën e pavarësisë, e ky certifikim është një vulë se puna e mirë shpërblehet në fund ç’do here”, ka thënë ajo.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka përgëzuar Arbnora Fejza-Idrizi për arritjen e një tjetri rekord Guinness për flamurin më të madh në botë të formuar me origami.

Ministrja Haradinaj-Stublla ka uruar Fejza-Idrizi për rekordin e saj të radhës në Librin Guinness, duke e cilësuar këtë arritje si një dhuratë e përzemërt për Kosovën dhe për lartësimin e imazhit të vendit.

“Flamuri më i madh në botë i formuar me origami është ai i Kosovës, i njohur zyrtarisht nga Libri i Rekordeve Guinness! Falë përkushtimit të znj. Fejza-Idrizi dhe studentëve nga Skënderaj kjo u bë e mundur – Faleminderit që jeni ambasadorë të Kosovës.”, është shprehur ajo.

Kryediplomatja e Kosovës më tej ka shtuar “se çdo vepër e mirë, secili gur/origami i vendosur për të mirën e Kosovës, është akti më i vlefshëm për ta bërë krenar vendin e popullin e Kosovës.”