ATSH/ “Trashëgimi dhe edukim” është tema e këtij viti në kuadër të Muajit të Trashëgimisë Kulturore, i cili sipas ministres së Kulturës, Elva Margariti do të jetë një muaj “zbulimi” i thesareve tona të çmuara.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti hapi sot Muajin e Trashëgimisë Kulturore. “Është kthyer në një traditë tashmë pasi lidhet me një datë të rëndësishme, atë të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë, por dhe Javën e Trashëgimisë Europiane”, u shpreh ajo.
“Tema e këtij viti është “Trashëgimi dhe edukim” dhe ne do t’i mëshojmë fort qasjes së fëmijëve, brezit të ri drejt kësaj pasurie shpirtërore e materiale, që shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Do të jetë një muaj “zbulimi” i thesareve tona të çmuara”, – tha Margariti.
Trashëgimia kulturore përbën një nga thesaret më të rëndësishëm të historisë dhe artit në Shqipëri. Objektet dhe sitet e trashëgimisë kulturore në vendin tonë çdo vit e më shumë po tërheqin vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj, pasi këto vende ngjallin interes të lartë për të mësuar më shumë rreth vlerës së tyre dhe historisë.
/k.s/j.p/