/ATSH – I. Vata/- Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoisot klerikun Visarjon Xhuvani në ditën e lindjes i cili u burgos nga diktatura komuniste dhe pjesën më të madhe të burgut e bëri në burgun e Burrelit.

Visarjon Xhuvani lindi në Elbasan në vitin 1890 në lagjen Kala. Mësimet e para i mori në shkollën greke në Elbasan dhe më pas vazhdoi shkollën e mesme fetare në Athinë. Po në Athinë përfundoi dhe Universitetin për Teologji. Në vitet 1919-1923 shërbeu si murg në Sofje të Bullgarisë. Në Universitetin e Kembrixhit në Angli vite më vonë mori gradën Doktor.

Në vitin 1929 u bë Kryepeshkop i parë i Shqipërisë. Ishte njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja veçanërisht i greqishtes së vjetër e të re, anglishtes, gjermanishtes, serbokroatishtes, rumanishtes dhe italishtes. Visarjon Xhuvani ka shkruar mbi 26 vepra teologjike.

Gjatë luftës ishte mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Fierit. Më 16 prill të 1939 do të bëhej anëtar i delegacionit shqiptar, që i ofroi kurorën Viktor Emanuelit në Vlorë.

Në vitin 1946 u dënua nga diktatura komuniste e më 22 dhjetor 1947 gjykata e dënoi me 20 vite burg, ku pjesën më të madhe qëndroi i burgosur në Burrel. Në burg do të kalonte 15 vite dhe do të lirohej në 27 nëntor 1962.

Njohuritë e Xhuvanit u reflektuan në hartimin e dokumentacionit bazë të kishës ortodokse, i cili është në fuqi edhe sot. Statuti themelor i hartuar prej tij dhe i aprovuar nga Kongresi i Korçës më 1929, është i pakorrigjueshëm.

Ndërroi jetë në vitin 1965, tre vite pasi doli nga burgu. /j.p/