TETOVË, 16 korrik /ATSH-MIA/ – Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti shpalli fitoren e partisë në bllokun politik shqiptar duke vlerësuar se janë siguruar mbi 100 mijë vota.
”Shqiponja u kthye. Kjo fitore e BDI-së është fitore e shqiptarëve dhe me këtë fitore nuk do të humbas asnjë shqiptar. Ne kemi dëshmuar se jemi më të suksesshmit në të gjitha sferat dhe kështu do të jetë edhe më tej. Shqiptarët nuk do të jenë të dëshpëruar prej nesh”, deklaroi Ahmeti.
”Jam falënderues që pata mundësi ta kumtoj lajmin më të mirë për shqiptarët dhe fitoren absolute”, theksoi Ali Ahmeti para selisë së BDI-së në Reçicë të Vogël.
Sipas tij, BDI i ka rezultatet më të mira në njësitë zgjedhore 1,2,5 dhe 6.
Koalicioni i LSDM-së ka më shumë vota, 324 084 ose 36,12% për qind, përpara koalicionit të VMRO-DPMNE-së me 312 745 vota ose 34,85%, BDI 101 432 ose 11,3%, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 76 425 ose 8,57%, E Majta 37 420 ose 4,17%, ndërsa PDSH 13 563 ose 1,51%./ a.jor.
ATSH