Është ndarë nga jeta Hoxhë Faik Gurra i cili prej shumë vitesh shërbeu në Xhaminë e Dragostunjës, por edhe si Nën/Myfti i Librazhdit.

Deputeti Taulant Balla, në cilësinë e mikut të familjes Gurra, së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Librazhdit i shprehën ngushëllimet familjes për humbjen e njeriut të dashur:

Taulant Balla  “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provën me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni”. Me këto fjalë të Kuranit të shenjtë, po ndaj me ju lajmin e ndarjes nga jeta të Hoxhë Faik Gurrës, i cili drejtoi prej vitesh Xhaminë e Dragostunjës, por edhe shumë vite si Nën/Myfti i Librazhdit. Hoxhë Faik Gurra iu përkushtua ringritjes së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë që ditën e parë të lirisë së besimit, duke marrë pjesë me një rol aktiv në Mbledhjen e parë themeluese, më 14 shkurt 1991, në Tiranë krah Kryemyftiut të Shqipërisë Haxhi Hafiz Sabri Koçi. Hoxhë Faik Gurrën, me të cilin si deputet i Librazhdit dhe mik i familjes, kam patur mundësinë të njihem nga afër, do ta kujtoj gjithmonë për peshën e rëndë të fjalëve, qetësinë, përkushtimin, kujdesin ndaj nevojtarëve, duke mos harruar kurrë tu mësojë besmitarëve vlerat më të larta të atdhedashurisë dhe kontributit pozitiv në shoqëri. Bashkë me Ambasadorin e SHBA në Shqipëri zotin Donald Lu në Janar të vitit 2016 u ulëm këmbëkryq rreth oxhakut në shtëpinë e Hoxhë Faikut, në një bashkëbisedim mbi vlerat dhe rolin e besimit islam në bashkëjetesën fetare, duke vlerësuar sëbashku kontributin e Hoxhë Gurrës në ringritjen e Xhamisë së Dragostunjës. Hoxhë Faik Gurra është babai i një prej drejtuesve më të respektuar të Komunitetit Mysliman Shqiptar zotit Ylli Gurra. Dua t’i shpreh Yllit, familjes dhe gjithë Dragostunjës, ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e Hoxhë Faikut”

Po ashtu Myftiu i Tiranës Ylli Gurra, djali i të ndjerit Faik Gurra ndau me të pranishmit porositë e babait të tij, për të ruajtur vëllazërinë dhe bashkëpunimin ndërfetar mes shqiptarëve.

Ai uroi që një situatë e e pazakontë që ka përfshirë botën të mbarojë sa më parë dhe besimtarët t’u rikthehen objekteve të kultit.

Elbasaninews.tv