ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta shprehu sot trishtimin për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj.

“Një lajm që trishton të gjithë botën akademike, kolegët e tij të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të shkencave të natyrës, të informatikës dhe të të gjithë universiteteve, me të cilët punoi dhe bashkëpunoi për një kohë të gjatë me shumë profesionalizëm dhe përkushtim të veçantë. Lajmi i sotëm trishton edhe botën e sportit, veçanërisht atë të peshëngritjes, me të cilin ishte i lidhur që në rininë e tij të hershme dhe për të cilin vazhdoi deri në frymën e fundit të kontribuojë pa u lodhur”, tha Meta.

“Ai kontribuoi për modernizimin e këtij sporti dhe arritjet e jashtëzakonshme nëpërmjet metodave të reja dhe frymës inkurajuese për të rinjtë duke u bërë një shembull dhe model në promovimin e miqësisë dhe solidaritetit olimpik, edhe në nivel ndërkombëtar”, u shpreh ai.

“Edhe unë humba sot një mik të vjetër, me të cilin, për më shumë se tri dekada kam bashkëpunuar duke zbuluar tek ai një zemër të madhe, një karakter të fortë, një mençuri largpamëse dhe një kurajë për të marrë vendimet e duhura, gjithmonë në të mirë dhe në dobi të shkencës, të sportit dhe të të mirës së përgjithshme. Ngushëllimet e mija të thella dhe të sinqerta familjes, bashkëshortes Afërditës, vajzës dhe të gjithë të dashurve, të afërmve dhe miqve të tij”, tha Meta.

Edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi përcolli mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj

“Akademiku Gudar Beqiraj ishte një personalitet i shquar i shkencës, kulturës dhe sportit shqiptar”, u shpreh Ruçi.

“Ai ka kontribuar për një kohë të gjatë jo vetëm si shkencëtar, por edhe si Kryetar dhe Zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe ka një meritë të padiskutueshme në hartimin e politikave të zhvillimit të shkencës shqiptare, të reformimit të Akademisë së Shkencave, të promovimit të kërkimit shkencor si edhe dhe institucioneve akademike e universitare të Shqipërisë. Familja humbi njeriun e saj më të dashur, kultura shkenca dhe sporti shqiptar humbën një përfaqësues të shquar, dhe Shqipëria një qytetar të denjë e të respektuar”, u shpreh Ruçi.

Gjithashtu dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përcolli mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj.

“Mësova me hidhërim për ndarjen e papritur nga jeta të akademikut Gudar Beqirajt, profesorit, sportistit dhe njërit nga ekspertët më të njohur në fushën e informatikës dhe të statistikës. Mendimet dhe lutjet e mija janë me familjen, të afërmit dhe miqtë e dashamirët e tij të shumtë. Emri i profesor Beqirajt lidhet pazgjidhshmërisht me njeriun që pasionet e tij të mëdha, matematikën dhe sportin gjithë jetën synoi t’i kthente në vlerë për shoqërinë shqiptare. Profesor Gudari do të mbahet mend për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për sportin e peshëngritjes, promovimit dhe mbështetjes së kampionëve dhe të talentuarve të këtij sporti”, tha Basha në mesazhin e tij të ngushëllimit.

“Me largimin e tij,shoqëria jonë humbi përgjithmonë një pasionant të palodhur në përpjekjet mbarëkombëtare në arsim, shkencë dhe sport. U prehtë në paqe”, u shpreh Basha.