ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në stacionin ultramodern të Gazsjellësit TransAdriatik në Fier, ku u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e pikës fillestare dalëse shqiptare të gazit.

Kryeministri vlerësoi se “ky investim i ri strategjik i hap rrugë zhvillimit të infrastrukturës kombëtare të gazit në rajonin jugor, ndërkohë që po vijon puna për projektin e detajuar për tubacionin Fier – Vlorë, i cili do të lidhë gazsjellësin me TEC-in e Vlorës dhe me portën e re hyrëse që do të investohet nga gjigandi Exxon Mobile”.

Sot, tha Rama, “është një nga shumë stacionet e një rrugëtimi që vazhdon për ta kthyer Shqipërinë praktikisht në një eksportues neto të energjisë”.

“Në të njëjtën kohë për ta bërë vendin tonë një hapësirë burimesh të ndryshme, të larmishme të prodhimit të energjisë duke futur më në fund edhe një komponent tjetër në jetën ekonomike e sociale të vendit të munguar historikisht, siç është gazi”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh shumë besimplotë që tanimë është vetëm çështje vullneti, vendosmërie, këmbëngulje, pune dhe durimi të madh për të përmbushur një vizion që nuk është më një dëshirë, as një aspiratë e mbështetur në një ëndërr, por është një horizont i arritshëm mbi baza tanimë të vendosura”.

“Faktikisht edhe procesi i nisur i ndërveprimit për të siguruar një bashkëpunim të qëndrueshëm me një kompani të madhe amerikane si Exxon Mobile dhe Accelerate Energy, janë tregues kuptimplotë i faktit që TAP nuk është thjesht një rrugë kalimi e gazit në anën tjetër të Adriatikut, por është një burim i sigurt i një zhvillimi ekonomik e social transformues për vendin në dekadën ku sapo kemi hyrë”, tha Rama.

Kryeministri shprehu konsideratën më të lartë për të gjithë ata që janë përfshirë në këtë projekt fantastik duke filluar nga drejtuesi dhe gjithë të tjerët, nga ekipi menaxherial te ekipi i specialistëve.

“Falënderoj edhe të gjithë ata që punuan dhe mundësuan këtë moment që do të mundësojnë me siguri edhe momente të tjera, skuadrën e Ministrisë dhe skuadrën e re të ‘Albgazit’ një krijesë e re në botën e institucioneve tona por që ka një perspektivë shumë të fuqishme dhe përbën një pikë mbështetje të rëndësishme në hartën e sektorit strategjik të energjisë në Shqipëri”, shtoi Rama. /j.p/