Operacioni humanitar në kuadër të situatës së krijuar prej COVID-19 ka vijuar me shpërndarjen e 1 132 pakove ushqimore pranë familjeve në nevojë në qarkun e Elbasanit.
Prefekti i qarkut të Elbasanit, Maksim Malaj informoi ATSH-në se “në rang qarku kemi shpërndarë pako ushqimore pranë 1 132 familjeve. Kemi dërguar pranë banesave të 7 pensionistëve ilaçe të rimbursueshme, si dhe kemi ndihmuar 38 familje me produkte të ndryshme jo ushqimore “.
“Po ashtu, kemi asistuar 64 familje për blerjen e produkteve jo ushqimore si dhe 2 familje për blerjen e produkteve jo ushqimore me pagesë, duke mos lejuar që banorët të dalin prej banesave të tyre, nga rreziku i prekjes nga armiku i padukshëm COVID”, u shpreh Malaj.
Malaj tha se të shtata bashkitë janë të fokusuara në dhënien e ndihmës për të gjitha familjet në nevojë, ndërsa garantoi se në këto ditë të vështira, të gjithë institucionet duke filluar që nga prefektura, janë në gatishmëri për çdo familje, pensionist apo të moshuar të vetmuar.
Atsh