ATSH-I.Vata/- Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ishte sot në Komisionin e Ligjeve ku u diskutua për projektligjin “ Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për noterinë”.

Në fjalën e tij, Manja deklaroi se “ndonëse ligji për noterinë është një ligj i ri dhe i standardeve më të mira evropiane dhe është miratuar në kuadër të paketës së dytë të Reformës në Drejtësi, ka lindur nevoja për disa ndryshime dhe shtesa në këtë ligj edhe në kuadër të angazhimeve që qeveria shqiptare ka në kuadër të angazhimeve ndërkombëtarë për luftën kundër pastrimit të parave dhe luftimit të terrorizmit. Qëllimi i këtyre ndryshimeve në këtë ligj ka të bëjë me futjen e disa mekanizmave të kontrollit që kanë të bëjnë me rritjen e integritetit dhe besueshmërisë profesionale dhe rritjes së cilësisë së shërbimit noterial për qytetarët shqiptarë”, tha Manja.

Ministri shtoi se “mekanizmat e kontrollit që propozohen në këtë ligj, kanë të bëjnë me futjen e mekanizmave të kontrollit të ngjashme me ato mekanizma që janë parashikuar për pranimin e kandidatëve në Shkollën e Magjistraturës. Ky projektligj që sjellim sot, do t’i jap fund praktikës së dhënies së licencave pa asnjë kriter nëpërmjet përfshirjes së këtyre mekanizmave filtrues për ta bërë shërbimin noterial sa më funksional me integritet, por dhe duke shmangur abuzimet në këtë drejtim”.

Dispozitat e këtij ligji, vijoi Manja, lidhen me çështjet e rendit dhe të sigurisë publike sepse në këtë program parashikohet se lufta pa kompromis, ndëshkimi i ashpër penal ndaj grupeve dhe organizatave kriminale të ndryshme duke goditur çdo aset ekonomik të paligjshëm të tyre, përbën dhe një prioritet të qeverisë shqiptare.

“Ky projektligj vjen si detyrim pasi Shqipëri prej shkurtit 2020 është përfshirë në listën nën monitorim të shtuar nga Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar, FATF organ ndërqeveritar që përcakton në nivel ndërkombëtar standardet dhe nxit zbatimin efektiv të masave ligjore rregullative për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, tha ai.

Manja shtoi se miratimi i këtij projektligji nga parlamenti, përmbush detyrimet e FATF dhe Manyval në kuadër të luftës kundër të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.