Qeveria do të mbështesë me subvencionimin e pagës minimale të gjithë të papunët e dalë nga periudha 10 mars-31 dhjetor 2020 në rast se do të punësohen nga biznesi.
Më herët programi për nxitjen punësimit te kompanitë private parashikonte subvencionimin nga shteti të pagës minimale dhe kontributeve për të papunët e dalë nga 10 marsi-23 qershor 2020 nga kriza e Covid-19.
Në Fletoren Zyrtare u botuan ndryshimet për zgjerimin e afateve të atyre që humbën punën dhe skemës të subvencioneve të pagës minimale.
Afati i zbatimit të kësaj skeme do të jetë deri më 31 dhjetor 2021. Programi parashikon se paga minimale në shkallë vendi 30 mijë lekë do të subvencionohen nga shteti për 2 muaj nëse kompania punëson me kontratë 4-mujore punëkërkuesin dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punësuarit për gjithë periudhën.
Për programin 8-mujor të punësimit subvencionimi nga shteti i pagës minimale do të jetë për 4 muaj dhe të kontributeve për gjithë periudhën. Nëse lidhet kontratë 1-vjeçarë punësimi shteti merr përsipër të subvencionojë vetëm kostot e sigurimeve të detyrueshme për 12 muaj.
Sakaq tashmë, për t’u bërë pjesë e programit të punësimit punëdhënësi duhet të plotësojë disa kritere, siç janë të jetë i regjistruar si person fizik ose juridik (nga shoqëri tregtare që parashikonte vendimi i mëparshëm), të mos ketë shkelur ligjin e punësimit përpara shpalljes të pandemisë, vendi i punës i financuar nga ky program, duhet të vijë si rezultat i rritjes së fuqisë punëtore në aktivitetin e punëdhënësit, të mos ketë detyrime ndaj tatimeve etj.
Kostot që subvencionon shteti
Programi i punësimit është një program 4, 8 ose 12-mujor punësimi, në të cilin profili dhe nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendin e lirë nga punëdhënësi; Paga përcaktohet në kontratën e punës, në përputhje me pozicionin përkatës dhe nivelin e pagave në treg.
Programi subvencionon kostot e mëposhtme:
a) Për programin e punësimit katërmujor:
i. Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 2 muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë dhe të katërt të kontratës;
ii. Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.
b) Për programin e punësimit tetëmujor:
i. Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 4 (katër) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës;
ii. Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.
c) Për programin e punësimit 12 mujor subvencionon kostot e financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100%, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompensuara çdo muaj./Monitor