Që kur koronavirusi u shfaq në Shqipëri, në fillim të marsit, specialistja e sëmundjeve infektive, Nevila Gjermeni, ka qenë në vijën e parë të frontit. Kështu e fillon agjencia franceze e lajmeve, AFP reportazhin e saj nga spitali Covid-1, në Tiranë.

Gjermeni nuk i ka parë fëmijët e saj prej dy muajsh, një ndarje e dhimbshme që ajo shpreson se do të përfundojë shpejt ndërsa zyrtarët përgatiten të zbusin kufizimet.

Shqipëria, shkruan AFP ka qenë e shpejtë në reagim dhe ka mundur të evitojë shkatërrimin e parë në vende si Italia, me të cilën e ndan Adriatiku.Por ndërsa vendi fillon të zbusë kufizimet, mjekët e stërmunduar druajnë se një valë e re infektimesh mund të mbërrijë në pavionet e spitaleve të tyre.

Si kudo tjetër në botë, pesha fizike dhe emocionale ka shtyrë stafin mjekësor të punojë pa pushim. Në spitalet e Tiranës, mjekët dhe infermierët janë kujdesur për pacientë të vetëm dhe të frikësuar.

Një pjesë e madhe e stafit të këtyre spitaleve, është frikësuar jo pak për shëndetin e familjeve të tyre. Të tjerë, kanë rrezikuar edhe jetën e tyre. Adelina Dragoti, kryeinfermiere në spitalin Covid-2, u infektua vetë. Por pas katër javësh, u kthye në punë.

Top Channel