Qeveria britanike ka nënshkruar një marrëveshje me gjigantët farmaceutikë GlaxoSmithKline (GSK) dhe Sanofi Pasteur për 60 milion doza të një vaksine të mundshme kundër Covid.
Metro citon Departamentin e Biznesit në Londër që është shprehur se, nëse vaksina rezulton e suksesshme Mbretëria e Bashkuar mund të fillojë të vaksinojë grupe prioritare, përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor në linjën e parë dhe ata me rrezik të shtuar nga Covid-19, qysh në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.
Provat klinike njerëzore të vaksinës do të fillojnë në shtator dhe do të pasohen nga një studim i fazës së tretë në dhjetor.
Asnjë vaksinë nuk është aprovuar ende për të trajtuar Covid, virus që ka vrarë 45.878 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar dhe 659,000 në të gjithë globin. Por ndërsa studiuesit përpiqen të krijojnë një kurë, Qeveria Britanike tani ka nënshkruar marrëveshje për katër lloje të ndryshme të vaksinave të mundshme kundër virusit, me gjithsej 250 milion doza.