Me mbështetjen financiare të qeverisë shqiptare, Dashnor Harka ka transformuar një godinë të rrënuar në një pikë grumbullimi e përpunimi të frutave me standarde bashkëkohore, teknologji moderne e receta tradicionale, për prodhimin e glikove dhe reçelrave plot shije të zonës së Përmetit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar shembullin e Dashnor Harkës i cili ka përfituar nga programi i AZHBR-së. “Në Përmet, ku me mbështetjen financiare të qeverisë shqiptare, Dashnor Harka ka transformuar një godinë të rrënuar në një pikë grumbullimi e përpunimi të frutave me standarde bashkëkohore, teknologji moderne e receta tradicionale, për prodhimin e glikove dhe reçelrave plot shije të zonës. Me kapacitetet e rritura përpunuese të kësaj pike, ai arrin t’u shërbejë plot fermerëve të Përmetit që sjellin aty prodhimet bio të fushës së tyre”, thotë Rama.

“Me ndihmën e këtyre strukturave të AZHBR-së edhe këtu, edhe në qark aplikova tek AZHBR-së dhe me ndihmën e tyre arrita që të merrja një investim për rikonstruksionin e godinës. Godina këtu ishte pa cati, me ferra me fjalë të tjera. Aplikova tek AZHBR-ja, u shpalla fitues dhe sipas projektit që kisha bëmë këtë ndërtesë, e veshëm me pllaka sipas kushteve teknike, më pas morëm fondin tjetër për linjën e përpunimit. Ne grumbullojmë këtu produktin e zonës së Përmetit. Minimalisht vete 3 tonë e gjysmë, por duke e ditur që po të kemi akoma, prapë do të punojmë. Kemi kërkesë për produkt final”, u shpreh ai, ndërsa theksoi se nga zona 10-15 fermerë sjellin në ditë produkte deri në 3 tonë.

Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca tha ndër të tjera se “është rritur nga viti në vit numri i fermerëve që regjistrohen formalisht nga zona”.

Në videon e transmetuar nga Kryeministri Rama jepen pamje para investimit dhe pas krijimit të pikës së re të grumbullimit me një financim prej 26.2 mln lekësh.