Duke filluar nga sot me urdhër të ministrisë së Shëndetësisë taksitë do të mund të transportojnë pasagjerë edhe në qytete të tjera të vendit, pra transport ndërqytetas në të gjithë territorin. Por policia nuk ka asnjë urdhër si mund t bëhet transporti i qytetarëve nga zonat e kuqe në të gjelbra duke e bërë të pazbatueshëm vendimin e ministrisë së Shëndetësisë. Burime për Report Tv nga policia pohuan se do të vijojnë me urdhrin e vjetër për transportin vetëm brenda qytetit dhe jo ndërqytetas nga zonat e kuqe te të gjelbra dhe e kundërta.
Sigurisht që edhe për taksitë ky vendim është i paqartë, pasi ende nuk e dinë se si do të veprojnë për të transportuar qytetar në zonat e gjelbra, në momentin kur nisen nga një zonë e kuqe. Kreu i sindikatës së taksive Xhevit Bara thotë për Report TV se transporti ndërqytetës me taksi është i paqartë, dhe se nga kjo paqartësi mund të ndëshkohen.
Po ashtu kreu i sindikatës thotë se probleme dhe paqartësi ka krijuar edhe fakti që Ministria e Shëndetësisë dhe DPSHTRR, kanë dalë me dy urdhra të ndryshëm për qarkullimin e pasagjerëve me taksi. Sipas tij DPSHTRR i lejon të transportojnë dy persona të një familje brenda qytetit, ndërsa ministria vetëm për transport ndërqytetas.
“Pati rezultate shumë të dobëta për të mos thënë aspak, ne detyroheshim të mos merrnim as burrë e grua, ne detyroheshim të mos merrnim as motër e vëlla. Me gjithë se Drejtoria e Transportit Rrugor përcaktonte dy pasagjer kur janë të së njëjtës familje, Ministria e Shëndetësisë nuk e lejon. Taksitë mund të lëvizin edhe ndërqytetëse por prapë këtu ka lënë një paqartësi se thotë ndërqytetëse me dy pasagjerë, pra me shkuar për Durrës me vëllanë tënd unë të marr dy veta, por nga Kombinati në Uzinë të Traktorit unë nuk të marr. Kjo është absurd shqiptar që s’duhet pranuar, s’duhet lejuar dhe është i padrejtë”, shprehte kreu i sindikatës së taksive.
Ndërkohë sa i takon aktivitetit të tyre që ka rinisur nga data 27 prill, Bara thotë se ka pasur shumë pak lëvizje. Sipas tij nga raportimet e taksive pranë sindikatës, 40 prej tyre kanë thënë se kanë kryer vetëm një rrugë, dhe 32 të tjera janë kthyer pa bërë asnjë rrugë.
/Shqiptarja.com