ATSH/ Sot nis edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, i cili do të zhvillohet deri më 24 shtator. Këtë vit, festivali vjen me një tematikë të mprehtë shoqërore, që ka në fokus të drejtat e të rinjve dhe një dedikim të veçantë për luftën në Ukrainë. Në këtë edicion, janë përzgjedhur 37 filma prej 3200 aplikimeve të ardhura në adresë të IHRFFA-së, nga e gjithë bota. Festivali nis me një ekspozitë fotografike, me foto nga Lufta në Ukrainë, realizuar në bashkëpunim me ambasadën e Ukrainës në Tiranë, si dhe shfaqjen premierë të filmit kanadez “ANTIGONE” e regjisores Sophie Deraspe, përshtatje e tragjedisë së Sofokliut në Montrealin modern e që trajton temën e emigrimit.

Shtegtimi 6-ditor i IHRFFA, do jetë në prezencë të regjisorëve dhe artistëve të ftuar nga bota, të cilët do të bashkëbisedojnë me spektatorët mbi filmat e prodhuar dy vitet e fundit dhe që janë vlerësuar me një varg çmimesh ndërkombëtare. Përveç Akademisë së Filmit & Multimedias Marubi, filmat do të shfaqen tek lulishtja pranë kryeministrisë, Kinemaja “Maks Velo”, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit etj.

Tek lulishtja e kryeministrisë do të projektohen filmat: “René – I burgosuri i Lirisë”, ”SCARBOROUGH” dhe ”Vajza me Byzylyk”.

Festivali ka mbështetjen nga Bashkia Tiranë, Ambasada Kanadeze, Misioni i Bashkimit Europian etj. /j.p/