TIRANË, 24 mars /ATSH/ Fermerët kanë nisur eksportin e prodhimeve të para bujqësore nga serrat e tyre drejt tregjeve të BE-së, sipas kontratave që ata kanë mbyllur kohë më parë me këto vende.

Gani Ziu nga fshati Samaticë e Beratit, tregon se ka bërë gati ngarkesën e parë me “kastravecin gjembaç” për eksport në Holandë.

Ai thotë se, të gjithë prodhimin në serrën prej 5 dynymë që e ka mbjellë me kastravecin gjembaç e ka me destinacion eksporti në Holandë, Gjermani dhe Çeki.

“Unë prodhoj vetëm për eksport. Pas 2 javësh nis vjeljen e domateve në serrën tjetër që kam në sipërfaqe prej 5 dynymë dhe më pas me patatet që i kam mbjellë në 5 dynymë tokë tjetër. Prodhimi është shumë i mbarë dhe e kemi të certifikuar sipas standardeve që e kërkon tregu i huaj dhe të gjithë prodhimin e kam për eksport”, thatë Ziu.

Ai shprehet i kënaqur edhe nga çmimi i tregut dhe synon të zgjerojë aktivitetin me serra të reja në toka me qira.

I riu nga Samatica shprehet i kënaqur që ka ngritur sipërmarrjen e tij të suksesshme në bujqësi, teksa vlerëson dhe mbështetjen që ka përfituar nga Skema Kombëtare dhe nafta pa taksa, që e kanë ndihmuar atë të ulë kostot e prodhimit dhe të zgjerojë sipërfaqet e mbjella.