ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shijak, në një nga pikat ku ka nisur Operacioni i Pastrimit të inerteve në sheshet e Rindërtimit, me mbështetjen e forcave të ushtrisë.
Kryeministri Rama tha se “këtë javë qeveria nis çeljen fondeve të dëmshpërblimit për familjet me dëmtime të riparueshme të shtëpive, të cilat do të mbështeten nga qeveria”.
Nga ana tjetër, ai tha se “lidhen kontratat e para të rindërtimit të shkollave, për të vijuar gjatë gjithë qershorit me kontratat e investimeve në infrastruktura e zonave të dëmtuara, si edhe për rindërtimin e banesave individuale”.
“Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Tani me gjithë forcat për ta bërë pastrimin në kohë rekord. Është një volum gjigant, por ne do ta mbështesim Ministrinë e Mbrojtjes në këtë proces dhe të fillojmë pastaj menjëherë me kantieret, sepse jemi në afat akoma, për fat të mirë, edhe pse na pengoi shumë kjo periudhë. Besoj që brenda disa muajve këtu të gjithë do të shohin kantieret. Nuk do të shohin më as godinën e lënduar, as inerte”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “janë volume gjigante dhe transformimi do të jetë kolosal”.
Po ashtu, Rama tha se “ne këtë javë kalojmë vendimin për fillimin e lëvrimit të dëmshpërblimeve sipas niveleve të dëmtimit”.
“Do të jenë fonde që do t’i shkojnë direkt qytetarëve. Është një shumë e konsiderueshme që besoj se jo vetëm mbulon nevojat, por i mbulon mirë të gjitha sipas niveleve. Vetëm për Shijakun është goxha shumë. Po t’i marrim të gjitha me radhë, shuma totale vetëm për xhepin e qytetarëve të dëmtuar shkon në afro 70 milionë dollarë”, tha Rama.
Ndërkohë, Kryeministri theksoi se “ata që e kanë të parikuperueshme do të marrin shtëpitë dhe ne do të vazhdojmë t’i paguajmë edhe qiratë”.
“Është një volum i madh, por ne e kemi thënë që në ditën 1 dhe sot jemi akoma më shumë të bindur se dje se, do t’i përgjigjemi një për një të gjithëve deri në fund. E vetmja gjë që nuk bëjmë dot është të financojmë durimin. Durimi është i pafinancueshëm kështu që humbet herë pas here. Megjithatë ne na takon që të durojmë 7-fish edhe për shkak të nevojave të punës edhe për shkak të përballimit të sharjeve të mallkimeve që kërkojnë atë fazën e tyre tretëse”, tha Rama.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka siguroi se “MM do të punojë me 3 turne, me kapacitet të plotë”. “Të gjitha mjetet i kemi në dispozicion, edhe forcat tona xheniere kështu që shpresojmë me ritëm do të kemi mundësi të pastrojmë në kohë rekord”, tha ajo.
Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana tha se “sot kemi filluar me ditën e parë të pastrimit të inerteve dhe për pak ditë do t’i heqim sa më shpejt”.
“Në Shijak po demolohet pallati i 16, mbeten edhe dy të tjerë për t’u demoluar. Ngaqë e gjithë zona është kthyer në kantier ndërtimi ne kemi bërë planin që të mbaronim me demolimin pastaj të vazhdonim me pastrimin e zonës”, tha ai.
Arbana tha se “bashkia Shijak e ka mbyllur të gjithë procesin e vlerësimit të dosjeve”. “Kemi marrë vendimin e këshillit bashkiak për nivelin e dëmit DS1, DS2, DS3 që pëtfiton rnga program i grantit”. Kemi marrë edhe vendimin për nivelin e dëmit DS4 dhe DS5 që përfiton nga programi i rindërtimit”, tha ai. /r.e/