ATSH/ Ka nisur puna për ringritjen e Kullës C në kalanë e Durrësit, e cila u shkatërrua nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit të vitit që lamë pas.

Kryeministri Edi Rama publikoi pamje të punimeve për ringritjen e kësaj kulle.

”Trashëgimia Kulturore është një pjesë e rëndësishme e Programit të Rindërtimit dhe paralelisht me rimëkëmbjen e çdo thesari të saj të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, ne do të vijojmë të rimëkëmbim çdo thesar të dëmtuar nga tërmeti i heshtur i keqqeverisjes së atyre, që e vetmja trashëgimi që mbrojtën ishte karakatina pa vlerë e teatrit”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri informoi se për ringritjen e Kullës C me një financim të qeverisë suedeze po bashkëpunohet me CHWB.

Po ashtu, Rama bëri të ditur se për ringritjen e saj po merret përvoja e emrave të shquar të trashëgimisë. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Burimi:ATSH