ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Farkë, ku nisi rindërtimi i banesave individuale pas tërmetit të 26 nëntorit.
Rama tha se “në Tiranë jemi gati me 200 banesat e fazës së parë, e shumë shpejt do të nisim me 150 shtëpi të tjera, e të tjera me radhë, deri në tullën e fundit”.
“Rindërtojmë bashkë. Vendosim tullën e parë që do të pasohet nga miliona e miliona të tjera, deri në fund të rindërtimit të të gjitha banesave të rrënuara nga tragjedia e 26 nëntorit të shkuar. Deri në fund papushim”, tha Kryeministri.
Rama tha se “kjo është një ditë e shënuar sepse më në fund, pasi janë bërë të gjitha konstatimet, verifikimet, riverifikimet e ankesave, planifikimet, projektimet e prokurimet fillojmë vendosim tullat, fillojmë muret dhe fillojmë të hapim rrugën, segmentin e fundit të rrugës së rindërtimit”.
“Dua t’u them të gjitha familjeve që sot jetojnë ende në çadër e shtëpi me qira, nga kjo pikë e Tiranës, që këto familje do të hyjnë në shtëpitë e tyre shumë shpejt. Lali thotë për 20 ditë, por Lalin unë e marr me rezervë se e ka optimizmin si ai uji 24 orë i Bovillës që u hap dje, por me siguri për 1 muaj. Me siguri deri në 26 nëntor shumë e shumë të tjerë do të jenë në shtëpitë e tyre për ta kujtuar këtë vit si një vit që ndryshon jetën e tyre pasi do të jenë në shtëpi shumë më të mira, shumë më të forta, në kushte absolutisht të tjera”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi edhe pak durim edhe nga ata që do të jenë në zonat ku ndërtimi do të bëhet si një lagje e re, në një hapësirë komunitare me të tjera mundësi, shërbime dhe cilësi jete.
Kryeministri theksoi se “tanimë shkollat janë të gjitha në fazë rindërtimi, sa i takon shkollave që financojmë ne, ndërsa së shpejti fillojmë edhe shkollat që financohen nga BE”.
“Ndërkohë që në një sërë pikash kemi filluar infrastrukturën për ato lagjet e reja dhe po punojmë intensivisht për projekt-zbatimet e lagjeve me ndërtesa kolektive, pra me pallate. Por jam i bindur se megjithëse na pengoi shumë COVID-i dhe shpresoj shumë që të gjithë së bashku ta luftojmë budallallëkun që ta shmangim një rritje të atillë numrash që largqoftë të na çojë prapë në situata mbyllje etj. T’ia dalim që Vitin e Ri një pjesë e konsiderueshme e këtyre familjeve të gëzojnë bashkë me fëmijët në shtëpitë e tyre të reja”, tha Rama.
Rama kërkoi durim nga banorët. “Ra tërmeti u desh të varrosim ata që ikën. Pastaj u desh të sistemonim në çadra e shtëpi ata që mbetën pa çati. Pastaj i numëruam një nga një, bëmë të gjitha verifikimet e certifikatave të pronës dhe letrave, nuk është kollaj. Pastaj u desh të bëhej planifikimi, projektet prokurimet dhe do t’i ndërtojmë të gjitha siç kemi dhënë fjalën’”, tha Rama.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se është lidhur kontrata për 53 shtëpi. “20 shtëpi janë 3+1, 20 shtëpi të tjera janë 2+1 dhe rreth 13 shtëpi 1+1 për familje më të vogla.. Afati është 8 javë, por unë them për 20 ditë do vazhdojmë me këtë ritëm. Prishet shtëpia e vjetër dhe ndërtohet e reja. Nuk ekziston opsioni t’i mbash të dyja”, tha ai.
Ndërsa për sa i takon granteve për rikonstruksionin e banesave të dëmtuara, në Farkë janë 280 shtëpi me dëme nga DS1 në DS3 dhe ka filluar shpërndarja e lekëve për 122 shtëpi.
Një tjetër ndalesë ishte dhe në familjen e madhe Qordja, ku para tërmetit katre kurora jetonin në një banesë. Por ashtu siç pati premtuar kryeministri dhe kryebashkiaku Veliaj, çdo kurorë do të ketë edhe një banesë të sajën personale.
Kreu i qeverisë nënvizoi se pavarësisht dallimeve politike, nga rindërtimi do të përfitojnë të gjithë. “Demokracia ka dhe një gjë, ju na shani, ne i ndërtojmë për ju . Po s’na shatë ju ne nuk e mbledhim dot mendjen fort. Sa më shumë që na shani ju, aq më shumë na motivoni kështu që nga një shtëpi, katër shtëpi. Koalicion shpish. Mos u ankoni se nuk lejohen koalicion, koalicionet lejohen. Të gjithë bashkë, por secili në çatinë e vet që të mos krijohet sherr brenda për brenda”, deklaroi Rama.
“Edhe pse keni qenë katër kurora në një shtëpi. Do merrni katër shtëpi. Çimi është dhe kryetar i Partisë Demokratike. Me Çimin në fushatë jemi përballë, kurse në tërmet jemi bashkë me ndërtuar”, u shpreh Veliaj .
Krahas rindërtimit të banesave individuale brenda dhe jashtë zonave të reja për zhvillim, ka filluar puna dhe për ndërtimin e rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit në njësinë Administrative Farkë. /a.g/