Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë arritur marrëveshjen për njohjen e çertifikatave fitosanitare në pikat kufitare për produktet bujqësore, çka do të lehtësojë shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. Njohja e këtyre çertifikatave në kuadër të marrëveshjeve për shengenin ballkanik.
Ndonëse periudhë pandemie, Shqipëria dhe Maqedonia kanë hedhur një hap konkret bashkëpunimi në zbatim të marrëveshjeve të nënshkruara për krijimin shengenit ballkanik. Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë rënë dakort që të njohin çertifikatata fitosanitare në pikat kufitare për produktet bujqësore, çka do të lehtësojë shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
Për këtë qëllim mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të nënshkruhet një marrëveshje konkrete e cila është dakordësuar gjatë një video-konference të zhvilluar ndërmjet ministrave të Bujqësisë së dy vendeve, Bledi Çuçi dhe Trajan Dimkovski.
“Tani çdo gjë është pothuajse gati. Kemi versionin final të marrëveshjes për njohjen e çertifikatave fitosanitare për secilin vend. Jam i lumtur që më në fund finalizuam diçka që e kishim disktuar që para gjashtë muajsh në Tiranë. Çdo krizë është një mundësi për të ecur përpara, kështu që le ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të ecur përpara dhe të nënshkruajmë së bashku këtë marrëveshje shumë të rëndësishme”.
Kjo marrëveshje sjell njohjen e ndërsjelltë të institucioneve e instrumentave laboratorikë, vlerësues dhe validues të cilësisë së prodhimeve dhe nënshkrimi i saj do të bëhet pasi qeveritë e dy vendeve do të ndjekin procedurat përkatëse.
Ora News