Ka nisur procesi i konsultimit publik për projektin e rivitalizimit të Kalasë së Elbasanit, një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të planifikuara për zonën historike të qytetit.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me përfaqësues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe arkitektin Emre Arolat, zhvilluan takimin e parë me banorët dhe bizneset e lagjes Kala, duke hapur zyrtarisht dëgjesat publike për projektin.

Sipas Bashkisë Elbasan, projekti synon restaurimin dhe ruajtjen e vlerave historike të Kalasë, si dhe krijimin e hapësirave më funksionale që do të nxisin zhvillimin e turizmit, artizanatit, kulturës dhe ekonomisë lokale.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e përfshirjes së komunitetit në procesin e hartimit dhe zbatimit të projektit, me qëllim ruajtjen e autenticitetit të Kalasë dhe përshtatjen e saj me nevojat e zhvillimit të ardhshëm.

Kalaja e Elbasanit konsiderohet një nga simbolet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit dhe projekti synon ta kthejë atë në një qendër të gjallë historike, kulturore dhe turistike.