ATSH-DPA/ – Një politikan i lartë rus tha se Moska mund të jetë dakord për një tërheqje të forcave të saj në termocentralin bërthamor të Zaporizhyas, në jug të Ukrainës, ndërsa rritet frika për një katastrofë të mundshme nukleare.

Vladimir Dzhabarov, nënkryetari i Komitetit për Punët e Jashtme në parlamentin rus, tha se “çmilitarizimi i uzinës do të ishte i arsyeshëm”, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Interfax.

Por, Dzhabarov përjashtoi mundësinë që Ukraina të marrë kontrollin e centralit më të madh bërthamor të Evropës.

“Rusia duhet të mbajë kontrollin e uzinës”, tha Dzhabarov, anëtar i partisë “Rusia e bashkuar”.

Situata e sigurisë rreth termocentralit, i cili është pushtuar nga trupat ruse që nga marsi, është përkeqësuar ditët e fundit, pas granatimeve të reja.

Politikanët ukrainas dhe perëndimorë kanë akuzuar Moskën për shfrytëzimin e uzinës si bazë për artileri dhe trupa.

Dje, në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) Rafael Grossi i bëri thirrje Moskës dhe Kievit që të lejojnë menjëherë një vizitë nga ekspertët ndërkombëtarë./ a.jor.