Kryeministri Edi Rama prezantoi sot paketën e dytë mbështetëse, e cila ofron një ndihmë ekonomike prej 40 mijë lekësh për 176 mijë individë, përmes një fondi të vënë në dispozicion prej 70 milionë dollarësh nga qeveria.

“Kjo paketë e zgjeruar do të mbështesë plot 176 mijë individë dhe familje, duke u ofruar mjetin financiar për ta përballuar me një frymëmarrje më të lehtësuar këtë 40 ditësh vendimtar që kemi përpara deri në fund të muajit maj”, – tha Kryeministri Rama.

Paketa, bëri të ditur Rama, do të shkojë si një pagesë e vetme dhe përmbledh disa kategori.

Rama theksoi se “asnjë luftë, asnjë betejë, asnjë ndeshje, nuk fitohet dot pa një qëllim strategjik të përbashkët, asnjë strategji fitoreje nuk ndërtohet dot pa parime të qarta për të gjithë dhe asnjë ushtri, asnjë grup, asnjë skuadër, nuk lufton dot me sukses pa e mbajtur mirë të gjithë, në mendje e në zemër, qëllimin dhe parimet e strategjisë së fitores. Qëllimi strategjik është i thjeshtë: Të fitojmë luftën me sa më pak humbje jetësh dhe vuajtje nga plagët e kësaj pandemie”.

“Paketa e parë ndihmoi në zbutjen e dhimbjeve të atyre që u prekën menjëherë, qysh në momentin e parë të sulmit, 123 mijë familje, ato me ndihmë ekonomike, ato që mbyllën me urdhër të qeverisë bizneset e tyre të vogla dhe qindra-mijëra pensionistë. Ndihma ekonomike u dyfishua, të goditurve të valës së parë në biznesin e vogël iu akordua një ndihmë që vazhdon të lëvrohet çdo ditë pas verifikimeve nga tatimet, pensionistëve iu indeksua pensioni edhe pse kushtet financiare nuk janë optimale”, – theksoi ai.

“E thashë qysh kur e publikuam paketën e parë, që mbështetja nuk do të mbaronte aty dhe sot, pasi e kemi ndjekur me vëmendje çdo ditë dinamikën në të dyja frontet, është momenti ta zgjerojmë paketën. Sepse në vazhdim, deri në fundjavën që shkoi, plot të tjerë janë goditur drejtpërdrejtë, e me të drejtë kërkojnë dhe meritojnë ndihmë, për të mos mbetur vetëm. Sot që flasim kjo paketë e zgjeruar do të mbështesë plot 176 mijë vetë. Të cilët nuk janë goditur në të njëjtën kohë dhe nuk i përkasin të njëjtës kategori. Por të gjithëve do t’i japim mjetin financiar, për ta përballuar me një frymëmarrje më të lehtësuar, këtë 40-ditëshin vendimtar që kemi përpara, deri në fund të majit”, – evidentoi Kreu i Ekzekutivit.

Kryeministri siguroi se “ne do të jemi gati për paketën e tretë mes datave 20-25 maj, duke parë dinamikën dhe përsëri do të jemi në gjendje t’u gjendemi pranë të gjithë atyre që nuk do të kenë të ardhura nga puna”.

“Deri në fund të majit, sepse ne besojmë se duke e mbajtur të shtrënguar fort zinxhirin mbrojtës të unitetit e të solidaritetit kombëtar, kurba e infeksionit do të shkojë në ulje të vazhdueshme dhe do të mund të lëvizim jashtë perimetrit të rrethimit ku jemi sot, me shumë kujdes, por duke mundësuar edhe kthimin në punë normalisht, me kushte strikte pa dyshim, të një numri të konsiderueshëm të atyre që do të përfitojnë nga kjo Paketë e  Zgjeruar. Por në të gjitha rastet, ne do të jemi gati për Paketën e Tretë, mes datave 20-25 maj duke parë dinamikën dhe përsëri do të jemi në gjendje t’i gjendemi pranë të gjithë atyre që nuk do të kenë të ardhura nga puna në ato moment për shkak të pamundësisë së daljes nga perimetri i rrethimit mbrojtës. Pra çdo përfitues nga kjo Paketë e Zgjeruar, do të mbështetet për të rezistuar pa makthin e zbrazjes së plotë të arkës së familjes, deri në fund të majit”, – u shpreh Rama.

 

ATSH