ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot ujësjellësin e ri të Vaut të Dejës, ku pas 50 vitesh me 2 orë ujë në ditë ose hiç fare gjatë verës, tashmë ujësjellësi i ri me 22.6 kilometra rrjet shpërndarës, çon 24 orë ujë në shtëpitë e kësaj zone.

Kryeministri siguroi se “brenda 2022 përfundojnë të gjitha projektet e investimeve për 24 orë ujë në të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë”.

Objektivi është i qartë, tha Rama, “ne jemi në gjendje sot të themi me plot gojën se në të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë do të kemi 24 orë ujë brenda 2022”. “Tirana do të ketë 24 orë ujë midis vitit 2022-2023, sepse është më komplekse, kështu që uji është hera e fundit që është temë fushatash elektorale sepse përfundimisht do ketë 24 orë për të gjitha qendrat urbane. Në zonat ku nuk ka pasur ujë 24 orë as në kohën e komunizmit, do zgjidhet një herë e mirë kjo punë, është gjëja më e sigurt”, tha Rama.

Ndërkohë në Vaun e Dejës sapo ka përfunduar investimi i qeverisë shqiptare me vlerë 1.5 milionë dollarë. Afati i kryerjes së këtij investimi ishte për 3 vite dhe punimet kanë përfunduar për 14 muaj.

Deputeti i zonës, Ilir Beqaj tha se “ujësjellësi i mëparshëm i Vaut të Dejës ishte totalisht i amortizuar, i ndërtuar në vitet 1965-1970, dhe kishte shumë humbje në rrjet”.

“Tani janë bërë 2 depo të reja dhe ka 3 avantazhe, në kuptimin ujë 24 orë, ujë i shëndetshëm në kuptimin e sigurisë, si dhe kursin në energji, pasi furnizoheshin me pompa”, tha Beqaj.

Ai nënmvizoi se “javës tjetër fillon po në këtë bashki investimi në ujësjellësin e Mjedës, i cilki shërben për 1700 familje të tjera”.

“Me ujësjellësin këtu që ka mbaruar dhe me atë të Mjedës që fillon, kemi zgjidhur rreth 60%-70% të nevojave të gjithë bashkisë dhe besoj se brenda planit që ju keni deklaruar, në vitin 2025 do të zgjidhim edhe Hajmelin, një zonë shumë problematike për ujë”, tha ai.