TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Drejtoresha e USAID-it në Shqipëri, Mischere Kawas vizitoi javën e shkuar qytetin e Korçës, njoftoi sot ambasada e SHBA.

Kawas u takua me kryetarin e bashkisë, Sotiraq Filo, me të cilin diskutoi mbi hapat e ardhshëm për të sjellë teknologjinë risi Smart City në Korçë, e cila do të nxisë rritjen ekonomike dhe do të përmirësojnë jetën e banorëve.

Gjithashtu Kawas vizitoi Muzeun e Fotografisë “Gjon Mili”, Muzeun Kombëtar të Arsimit, Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, dhe së bashku me Administratoren për Përmirësimin e Turizmit të Qarkut të Korçës të Fondit Amerikano-Shqiptar për Zhvillim (AADF) Erifiola Gace vizituan Pazarin e Vjetër. AADF, krijuar në vitin 2009 me mbështetjen e USAID-it për të zhvilluar një sektor privat të qëndrueshëm dhe për të nxitur demokracinë në Shqipëri, ka dhënë 1.61 milion dollarë për të rigjallëruar Pazarin e Vjetër, duke gjeneruar më shumë se 2.7 milion dollarë investime nga bizneset.

“Pazari i Vjetër (i ri) është tashmë një nga tërheqjet kryesore në Korçë, teksa përmirëson klimën e biznesit dhe tërheq turistë nga e gjithë bota. Ne jemi krenarë për punën dhe bashkëpunimet e USAID/Albania, të cilat e kanë bërë qytetin e serenatave akoma edhe më shumë të gjallë dhe dinamik!”, theksoi ambasada e SHBA në një postim në rrjetet sociale. /j.p/