ATSH/ Një operacion i vështirë i rimodelimit të kafkës tek një fëmijë 10- muajsh është kryer për herë të parë me sukses në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu, e cila vizitoi në spital vogëlushin që iu nënshtrua operacionit.

“Super emocion për një sukses të jashtëzakonshëm për Reisin e vogël 10-muajsh, që ia ka dalë me sukses pas një operacioni tepër të vështirë të rimodelimit të kafkës që u krye për herë të parë në spitalet tona”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu falënderoi për punën fantastike ekipin multidisiplinar me neurokirurg Prof. Artur Xhumari, kirurgun e Shërbimit Maxilofacial Dr.Arlind Myftari, kirurgun maksilofacial të Spitalit Universitar të Traumës Dr. Mariol Sako, anestezist në spitalin pediatrik Dr. Spiro Sila, kryeinfermiere Silvana Laçi, instrumentare Anisa Vogli, infermiereve Marjeta Shehi, Nora Tafaj, Irini Ngjiro.

“U bënë bashkë të gjithë mjekët ekspertë për të bërë të mundur operacionin, i cili doli me sukses”, tha Manastriliu.

/k.s/j.p/