Plazhet për të gjithë do të hapen më 10 qershor , por mjeku infeksionist Pëllumb Pipero sugjeron se duhet të hapen sa më parë. Ai thotë se qytetarët duhet të shmangin grumbullimet, por sa më shpejt të mundësohet frekuentimi i plazheve, apo pishinave aq më mirë do të ishte për vendin.

“Sa më shpejt të mundësohet frekuentimi i plazheve apo pishinave shumë më mirë do të ishte. Unë do të këshilloja të gjithë resortet, baret, restorantet të respektojnë protokollet, por edhe qytetarët duhet të kenë kujdes.

Në këtë fazë të hapjes qytetarët duhet të shmangin grumbullimet. Edhe pse ekspozimi mundëson përfitimin e imunitetit. Dalja ndihmon jo vetëm në aspektin psikologjik, por edhe në atë shëndetësor. Unë personalisht nuk shqetësohem nga rastet që kemi aktualisht, por do të thosha që të vazhdojmë të hapemi gradualisht. Ekspozimi në këtë periudhë të epidemisë mundëson fitimin e imunitetit.

Studimet e fundit dëshmojnë që virusi nuk transmetohet nëpërmjet ujit. Duhet të jemi të sigurt që frekuentimi i plazheve apo pishinave duke respektuar protokollet kur jemi në lokale apo në çadra, nuk na ekspozon ndaj virusit. Kam këshilluar që sa më shpejt të mundësohet frekuentimi i plazheve apo pishinave shumë më mirë do të ishte për vendin tonë. Ekspozimi në diell ndihmon në përfitimin e vitaminës D”, tha Pipero në “Abc News”.