ATSH/ Laguna e Kune-Vainit në Tale të Lezhës sot ishte në qendër të një aksioni pastrimi nga bashkia e Lezhës.
E shpallur zona e parë e mbrojtur në vend, gati 8 dekada më parë Kune-Vaini është shndërruar në një destinacion të shumëllojshmërisë së aktiviteteve që ofron.
Bashkia e Lezhës bën të ditur se “aksioni i pastrimit nga punonjësit e Shërbimeve Publike dhe Agjencisë së Rrugëve Rurale vazhdon sot në zonën e Kune-Vainit”.
Bashkia e Lezhës po i kushton vëmendje të gjitha plazheve të saj për largimin e mbeturinave si dhe heqjen e leshterikëve dhe algave të mbetura në breg prej vitesh.
Pas ndërhyrjeve për pastrimin nga mbetjet plastike dhe ato të sjella në breg nga deti, bashkia e Lezhës ka nisur “çlirimin” e bregdetit të Kunes nga masivët e leshterikëve të akumuluar prej vitesh dhe të patrajtuar më parë.
Pas pastrimit zona fundore e Kunes do të jetë një mundësi për t’u shfrytëzuar si plazh publik, i pastër dhe më të gjitha shërbimet e nevojshme./k.s//a.a/