ATSH/- Investimet në rehabilitimin e plotë të infrastrukturës rrugore Pogradec- Tushemisht, kanë lehtësuar qarkullimin e automjeteve në këtë sezon turistik, në një prej zonave më të bukura të vendit dhe më të frekuentuarat nga turistët në çdo stinë të vitit.
Bashkia Pogradec, aktualisht po punon për sistemimin dhe shtrimin me asfalt të gropave dhe dëmtimeve në segmentin rrugor nga rezidenca qeveritare deri në Tushemisht.
Plazhi i vilave deri në Drilon është plazhi më i ri, i krijuar këtë verë me parametra bashkëkohorë nga rezidenca qeveritare deri në Tushemisht. Përgjatë vijës së bregut liqenor investimet kanë trefishuar sipërfaqja e rërës për frekuentim plazhi, ndërsa janë ngritur trotuare me ndriçim përgjatë shëtitores deri në Tushemisht.
Projekti i bashkisë për zhvillimin e kësaj zone, parashikon së shpejti kalimin këtu edhe të  shëtitores breg liqenore, e cila nis në hyrje të qytetit dhe përfundon në Tushemisht.
Investimi e kthen atë tërësisht në zonë këmbësore dhe për biçikleta, bashkë me shumë elementë të tjerë urbanë që e bashkëshoqërojnë këtë projekt me impakt të madhe në zhvillimin turistik të zonës së Tushemishit.
Është një nga fshatrat turistike model i cili çdo verë mbi popullohet me të huaj. Në të gjithë fshatin është shtrirë turizmi familjar me kushte nga më komodet. Plazhi i Tushemishtit është nga më të frekuentuarit.