TIRANË, 23 qershor /ATSH/- Politikat mbështetëse në ekonomi me likuiditet të stimuluar nga Banka e Shqipërisë, kanë rritur sasinë e parasë në qarkullim në nivelin më të lartë historik.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se paraja në qarkullim arriti në 322 miliardë lekë, në fund të muajit maj 2020, me një rritje prej 9.2 miliardë lekë krahasuar me muajin prillin.

Ndërkohë që prej fillimit të muajit mars, kur vendi u prek nga epidemia e Covid-19, paraja në qarkullim është zgjeruar me 23 miliardë lekë.

Treguesi i parasë në qarkullim i referohet vetëm lekut dhe nuk përfshin valutën e huaj që qarkullon në ekonomi. Ndërsa sistemi bankar në vend është i konsoliduar dhe i mirëkapitalizuar.

Në kushtet e situatës Covid-19, Banka e Shqipërisë mundësoi dhënien e likuiditetit bankave tregtare çka zgjeroi aksesin e tyre në plotësimin e nevojave të ekonomisë për para në kohën kur epidemia çoi në mbylljen e shumicës së aktiviteteve ekonomike.

ATSH