ATSH/ -Polonia vendos lejimin e fluturimeve ndërkombëtare me një sërë shtetesh, përfshirë Shqipërinë nga data 1 korrik.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bëri sot me dije se autoritetet polake kanë vendosur për lejimin e fluturimeve ndërkombëtare me një sërë shtetesh, përfshirë Shqipërinë, duke nisur nga data 1 korrik 2020.

Sidoqoftë, thekson MEPJ, “mundësia për të hyrë në territorin e Polonisë është për shtetasit polakë, si dhe të huajt që janë martuar me shtetas polakë, fëmijë të shtetasve polakë dhe persona nën kujdesin e shtetasve polakë; janë mbajtës të Kartës Polake; pjesë e misioneve diplomatike; kanë leje qëndrimi të përkohshme ose përhershme në Poloni; kanë të drejtë për të punuar në Poloni, përfshirë punëtorët ndërkufitarë; drejtojnë një automjet të përdorur për transport të mallrave; kryejnë transport ndërkombëtar rrugor ose transport të kombinuar, që kalojnë nëpër territorin e Polonisë a) me qëllim të marrjes së një periudhe pushimi, b) pasi të kalojnë një periudhë pushimi jashtë vendit ose pushim nga kryerja e punës; janë nxënës të shkollës dhe studentë që studiojnë në Poloni; janë rezidentë në një nga vendet anëtare të BE-së, të EEA-së dhe Zvicrës (apo bashkëshortë dhe fëmijë të tyre), dhe për qëllime tranziti nevojitet të kalojnë në territorin e Republikës së Polonisë drejt vendit të qëndrimit”.

“Sa i përket regjimit në fuqi për qytetarët shqiptarë, aktualisht Qeveria polake po punon për rregullore të reja për zgjerimin e kategorive të personave që mund të hyjnë në Poloni nga Shqipëria”, shton MEPJ.

/gj.mima//a.a/