Përfaqësues të disa prej kompanive të huaja, të interesuara për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano, zhvilluan sot një vizitë në terren.
Të shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Portit të Durrësit, Pirro Vengu, pjesëmarrësit konfirmuan interesin e tyre për çka do të jetë një nga veprat më strategjike, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin.
Kompani vendase dhe të huaja në fushën e zhvillimit të infrastrukturës portuale morën pjesë dje në Tiranë në një takim informues pas prezantimit të projektit inxhinierik të portit të ri tregtar në Porto-Romano, Durrës.
Në përputhje me standardet ndërkombëtare të fushës, ky takim konsultativ, për të gjithë komponentët inxhinierikë, financiarë dhe juridikë të projektit, i hap më tej rrugën çeljes së garës ndërkombëtare për financimin dhe ndërtimin e portit të ri.
Projekti i portit të ri tregtar të Durrësit, integron hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut.