Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri deklaroi sot PS e hapur për t’u ulur me opozitën dhe për të diskutuar për emrat e kandidatëve për Presidentin e ri.

Ai tha se, ne i qëndrojmë ofertës tonë, i presim në çdo orë të ditës të vijmë të ulemi. Nuk ka konsensus për emër konkret.

“Përfaqësuesit e opozitës të vijnë të ulen të diskutojmë për kandidatë. Nëse duan të vijnë me një kandidat është çështja e tyre, por unë mendoj jemi në kohë të  takohemi ditën e hënën, nesër që është e diel, të ulemi si grup negociator, ata me përfaqësuesit e tyre ne si mazhorancë për emra konkret që reflektojnë vizionin që kishte PD tek figura e Presidenti”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri shtoi se nuk ka ende një emër konkret, nuk ka negociata dhe më vjen keq

“PS tregoi tolerancë, tregoi gatishmëri. Ne i kemi thënë opozitës hajdeni ju me personat që mendoni, reflektojmë atë  filozofi përkatëse që e kanë bërë publike. Po hajdeni në tavolinë negociatash me emër konkret”, tha ai.

Në lidhje me emrin e Fatos Nanos si President, Gjiknuri tha se absolutisht nuk e përjashtojmë, nëse opozita do të ishte dakord, kjo mbete për tu parë.

“Ne kemi thënë se të vetmin përjashtim që kemi është që të mos jetë anëtarë i grupit parlamentarë të PS-së. Pjesa tjetër mund të jenë njerëz që kanë begraund politik. Nano është një njeri i nderuar, ka  eksperiencën e ti politik por gjithçka është e hapur, nëse opozita pranon pse jo. Do ishte e parakohshme që të themi tani që PS ka këtë emër. Derisa opozita ka iniciativën ne presim të dëgjojmë atë. Në momentin që digjen tre raundet ne do të dalim me kandidatin tonë”, tha ai

Po ashtu, Gjiknuri u shpreh se PS i ka votat. Theksoj se kemi ndryshime thelbësore, ku u ndryshua sistemi zgjedhor po ashtu u ndryshua edhe mbrojtja që kishte qeveria nga mocioni i besimit dhe mosbesimit në parlament.

“Shumëkush mund të mendonte që PS i ka të gjitha pushtetet, përse i duhet presidenti? Po qe synimi për të pasur një personazh aktiv në politikë, ne do ta kishin shumë të thjeshtë. Ne nuk kemi thënë hajde me firma, por hajde me emra. Nëse ne bien dakord për një emër natyrshëm që është edhe detyrimi për të mbledhur firmat. PS në momentin që bien dakord për emrin garanton votat e saj, por edhe ti duhet t’i garantosh se ndryshe ç’konsensus mund të jetë ky”, tha ai.

Në lidhje me 10 emrat e propozuar nga opozita, Gjiknuri u shpreh se  “një pjesë të tyre i njoh, por nuk mund të jap opinione sepse jam pjesë e tavolinës së negociatave. Është shumë mirë që kanë  dalë këto emra dhe të ulemi ti marrim me radhë. Janë të gjithë njerëz të nderuar, dhe janë personazhe të lidhur me PD në të kaluar, me përjashtim të Princ Lekës”.

Gjiknuri shtoi se, palët duhet të ulen në negociata pa kushte dhe opozita duhet të vinte me një listë kandidatësh dhe të ulej në tavolinën e negociatave.

“Kjo e kamerave është si njeriu që ka frikë të marrë vendime. Ka natyrë vendimesh që merren para kamerave, por kjo është thjesht paaftësi për të marrë vendime. Nuk bëhet diplomacia kështu, nuk bëhet vendimmarrja me ultimatume”, tha ai, duke shtuar: “Disa zhvillime të orëve të fundit të opozitës më kanë shqetësuar. Prisnim një dialog, pra do të thotë që palët të ulen pa kushte dhe opozita të vinte me një listë dhe të uleshin në një tavolinë negociata, por kjo nuk ndodhi”, tha Gjiknuri.

Në lidhje se çfarë profili duhet të ketë Presidenti, Gjiknuri u shpreh se modeli më i keq ka qenë Ilir Meta pas Sali Berishës në 92-96, por ishte tip tjetër  Presidenti sepse ishte një President që kontrollonte gjithçka dhe kishte detyra gati ekzekutive dhe zotëronte PD, ashtu si Ilir Meta që zotëronte LSI.

“Por unë mendoj se të gjithë presidentë e tjerë kanë qenë shumë më të mirë se këta të dy nga pikëpamja e sjelljes politike. Moisiu ka qenë një president shumë gjithëpërfshirës, një figurë që të impononte  respekt. Po edhe Meidani ka qenë i mirë, madje dhe Presidenti i zgjedhur nga PD, Nishani megjithëse ishte partia u tregua më i  kujdesshëm me respektimin e Kushtetutës sa Presidenti aktual. Mendoj se ka ardhur moment të kemi një fytyrë shumë të ngjashme me Moisiun”, tha ai.