ATSH/- “Ne kemi bërë në mënyrë shumë korrekte dhe të vazhdueshme indeksimin e pensioneve dhe ajo që duam të bëjmë të posaçme, pasi çfarë na shqetëson është fakti që nga pensioni kur është fjala për medikamentet, barra është jo e lehtë edhe pse e kemi rritur në mënyrë të ndjeshme listën e barnave të rimbursueshme. Por tek ilaçet duam të bëjmë diçka specifike për pensionistët”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama nga Gjirokastra.
Ai tha se rritja e pensioneve është një çështje e rëndësishme për të gjitha vendet, është tema më e vështirë për shkak të problemit të madh të fondit të pensioneve.
“Sigurisht që PD mund t’i rrisi pensionet sa hap e mbyll sytë, kjo nuk diskutohet. Madje mund të uli sigurimet shoqërore dhe të rrisë pensionet. Pra duke e ulur prodhimin e qumështit, të rrisi prodhimin e djathit. Kanë një formulë që nuk e kanë shpjeguar se si mund të ndodhi kjo, por nga të gjitha analizat që mund t’i bëhen kësaj formule, ajo që të jepet për djathë është sapun. Kush ta marri, ta marri, kush ta hajë, ta hajë, po e hëngri shumica, fiton Shqipëria”, tha Rama në reagim edhe të propozimit të PD-së.
Tek pensionet, tha Kryeministri, mungesa e reformës për aq shumë vite dhe mbajtja e pensioneve tek ai tavani i tmerrshëm që ishin deri kur ne bëmë reformën, bëri që të rritej në mënyrë marramendëse deficiti dhe të ngarkohej gjithmonë e më shumë shteti.
“Kur them shteti, kam parasysh duke spostuar burimet e të ardhurave të tjera për të paguar pensionet, ndërkohë që të ardhurat nga sigurimet shoqërore ishin absolutisht të papërputhshme me atë qe duhet të ishin. Mundësia për të paguar sigurimet shoqërore sipas kategorive, ka krijuar tani kushtet që kush del sot në pension ka tjetër perspektivë nga kush ka dalë në pension qysh përpara reformës sepse sot merr një pension më të lartë. Ndërsa kush ka dalë në pension përpara reformës, nuk e merr dot një pension më të lartë”, nënvizoi kryeministri.
Ai sqaroi se një mësues që del sot në pension falë reformës merr një pension më të lartë se sa para reformës. “Në këtë aspekt rritja e pensioneve është një sfidë shumë e madhe që do të duhet të shihet në perspektivën e krijimit të mundësive më të mëdha falë investimeve, rritjes ekonomike, zhvillimit të mëtejshëm për të mos thënë gjëra që mund të tingëllojnë shumë të bukura por janë thjeshtë gënjeshtra të ëmbla”, u shpreh Rama.
“Sigurisht që as këtë dhe gjërat e tjera nga ato që themi, nuk duam që të jenë si tema fushate apo si premtime fushate sepse ne nuk jemi në fushatë. Fushatën do ta bëjmë sepse është një detyrim përpara popullit edhe në funksion të zgjedhjeve, por ne do të vazhdojmë të çojmë përpara punët që kemi nisur e cila është njësoj siç janë sot kantieret e rindërtimit. Pra, nëse sot shikon Thumanë apo Fushë Krujën, shikon një ndryshim të madh nga moment pas tërmetit ku kishte vetëm rrënoja, por nuk shikon një zonë ku mund të jetohet me të gjitha kushtet sepse është ende në ndërtim e sipër. Kështu janë të gjithë sektorët në Shqipëri dhe në këtë fazë është edhe rruga jonë. Jemi në një kantier. Kemi pastruar rrënojat kemi hapur themelet, ndërtuar gjithë infrastrukturën nëntokësore, ngritur karabinatë, por duhet të vazhdojmë të fusim të gjitha sistemet e tjera që e bëjnë gjithë projektin të mbaruar. Kështu jemi me arsimin me shëndetësinë, me çdo fushë”, tha Kreu i Ekzekutivit.